Publikuar më: 19/01/2023
Ekonomi: 1227 shërbime online, lehtësi e cilësi për qytetarët

Gjatë një konference për shtyp të zhvilluar ditën e sotme në ambientet e Kryeministrisë, Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve Milva Ekonomi, dhe Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Edona Bilali prezantuan arritjet për vitin që lamë pas dhe objektivat për vitin 2023.
Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi deklaroi se, “digjitalizimi i shërbimeve publike dhe ofrimi i tyre online për qytetarin është një nga investimet më të rëndësishme të qeverisë, që ka lehtësuar qytetarët nga barra e radhëve dhe procedurat burokratike”.
Gjatë prezantimit, Ministrja Ekonomi vuri në dukje se, “nga 1 Maji i vitit të kaluar të gjitha shërbimet publike administrative kaluan online. Sot kemi online 1227 shërbime që jepen nga 83 institucione dhe komunikojnë informacione mes 58 regjistrave”.
Ministrja shtoi më tej se, “për të arritur deri këtu është bërë një punë shumë e madhe nga ADISA dhe AKSH-i që vendosi këto shërbime në platfomën e-Albania. Në këtë platformë (e-Albania) kemi 2.8 milionë përdorues nga të cilët 220 mijë janë biznese dhe u shënuan 8.5 milionë aplikime, nga të cilat 6.7 milionë aplikime kanë qenë dokumente me vulë elektronike dhe mesatarisht janë kryer 17 milionë transaksione në muaj”.
Këto përparësi zhvillimi në digjitalizimin e shërbimeve e renditën vëndin tonë, nga institucionet ndërkombëtare në vendin 19 në botë dhe në vendin e 8 në Europë. Shqipëria ka sot një infrastrukturë të mbulimit të shërbimeve online në 99.9 % të territorit, ndërsa prioritet i punës mbetet përmirësimi i cilësisë së ofrimit të shërbimeve online dhe zgjerimi i tyre edhe për shërbimet vendore.
Në përfundim të fjalës së saj Ministrja Ekonomi shpalosi edhe përparësitë e tjera që do të ketë në fuksion të detyrave të Ministrit të Shtetit për Standardet e Shërbimeve sikurse janë: Partneriteti Për Qeverisje të Hapur (OGP), në kuadër të së cilës do të vazhdohet mbështetja në përfshirjen e aktorëve të shoqërisë civile. Kjo do të mundësojë më shumë transparencë, luftën kundër korrupsionit, e më shumë mjete digjitale në zhvillimin e politikave, në mbrojtje të mjedisit dhe të shëndetit të popullatës. Ndërsa për sa i përket politikave të Mirëqeverisjes, ato do të fokusohen në realizimin e kërkesave që rrjedhin nga integrimi Europian i Shqipërisë.