Publikuar më: 17/05/2023
Eventi hapës i Projektit “Ngritja e kapaciteteve për nëpunësit civilë të administratës publike – Young Cells”

Zhvillohet eventi hapës i projektit të financuar nga Bashkimi Europian për “Ngritjen e kapaciteteve për nëpunësit civilë të administratës publike”, duke përfshirë dhe trajnimet / praktikat e vizita studimore në administratat e vendeve anëtare të BE-së (qelizat e reja)”.
Ministri i Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Znj. Milva Ekonomi, e ftuar në këtë event, në fjalën e saj tha se cilësia e administratës publike dhe qeverisjes së një vendi është një faktor kyç në performancën e tij ekonomike dhe mirëqenien e qytetarëve të tij. Administratat publike efikase u shërbejnë nevojave të qytetarëve dhe bizneseve. Qeveria shqiptare e ka në fokus përmirësimin e administratës publike dhe në këtë drejtim është bërë progres në politikë-bërje, në cilësinë e legjislacionit për këtë fushë, në mënyrën se si është e organizuar dhe funksionon administrata dhe së fundmi janë integruar dhe proceset teknologjike të digjitalizuara që e kanë ngritur në tjetër nivel administratën tonë.
Me këtë synim në mendje dhe me avancimin e inovacionit dhe ndryshimin e shpejtë të teknologjisë që na dikton koha, kemi bërë shumë hapa drejt digjitalizimit të shumë funksioneve dhe shërbimeve që ofron administrata publike. Aftësimi i punonjësve të administratës publike, pikërisht me këto zotësi, është një nga prioritet në mbështetjen e reformës së shërbimit civil, duke krijuar së pari një sistem profesional me bazë merite.
Ministri i Shtetit për Standardet e Shërbimeve theksoi se një staf profesional duhet të jetë i kualifikuar, i paanshëm, etik dhe i orientuar drejt vlerave. Punonjësi civil është shumë i rëndësishëm pasi përgjigjet për detyra komplekse dhe përcjell vlerat tek publiku. Krahas ekspertizës profesionale, një punonjës i shërbimit publik duhet të ketë edhe aftësi strategjike dhe inovatore për të qenë të orientuar drejt së ardhmes dhe të zhvillojnë instrumente të reja të qeverisjes.
Jemi në një moment të rëndësishëm në rrugën tonë evropiane me fillimin e procesit të negociatave prej korrikut 2022 dhe në këtë kontekst Udhërrëfyesi për Mirëqeverisjen dhe Administrimin Publik 2030 përbën dokumentin strategjik kryesor që orienton thelbësisht menaxhimin cilësor të kornizës së përbashkët të vlerësimit, administratën publike dhe financat publike, shërbimet publike, digjitalizimin, antikorrupsionin dhe decentralizimin.
Qeveria Shqiptare aktualisht ka ndërmarrë reformën më të madhe të pagave të këtij 10 vjecari të fundit, duke synuar jo vetëm rritjen e pagës minimale në 40,000 lekë të reja, por edhe rritjen e pagave të të gjithëve punonjësve të administratës publike gjatë 2 viteve të ardhshme. Kjo reformë nxit padyshim edhe thithjen e kapaciteteve të reja në administratën publike, por edhe rrit cilësinë e rekrutimit që në hyrje.