Publikuar më: 13/06/2022

Fjala – 13 qershor 2022 – Konferenca Antikorrupsion

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Faleminderit zoti Kryeministër

Të nderuar Ambasadorë të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri dhe përfaqësues të Organizatave ndërkombëtare,

Të nderuar kolegë ministra,

Të nderuar miq dhe pjesëmarrës

Dy emigrantë u kthyen në Shqipëri për t’u martuar, por i’u desh të largoheshin pas tre javësh përsëri beqarë, sepse nuk ia dolën të merrnin në kohë të gjithë dokumentat e nevojshëm për të lidhur kurorë.

Qindra shoferëve iu hoq patenta nga patrulla për mospagesë të gjobave që në fakt ishin paguar prej kohësh në postë, por sistemi i kësaj të fundit nuk koordinohej me sistemin e Policisë Rrugore dhe gjobat figuronin të papaguara.

Nga varrimi, në sportel, pritje disa ditë për të marrë një certifikatë vdekje sepse punonjësit gjendeshin në kafe ose me pushime.

Një 80-vjeçar që vinte rrotull çdo të premte, prej thuajse një viti në dyert e shtetit, për të marrë një certifikatë pronësie.

Nuk janë barcaleta të mbledhura nga një libër komik, por kryetituj nga një kërkim i thjeshtë në Google me kryefjalët sportel dhe certifikatë, në të cilin vendosa të njëjtën datë si sot, dhjetë vjet më parë.

Këto ishin standartet tona. Standartet e një vendi të botës së tretë. Një vendi ku për t’i shpëtuar burokracisë duhet të paguaje lekë.

Ku zyrtari i shtetit ishte veshur në kostumin e sekserit dhe ku koncepti i shërbimit online nuk ekzistonte për qytetarin, e as që përfytyrohej për biznesin.

Kemi kaluar nga koha e radhëve kilometrike në sportele, në kohën kur sportelet janë tashmë vetëm një kujtim i së shkuarës.

Prej datës 1 maj, me mbylljen e sporteleve fizike dhe ofrimin e shërbimeve publike përmes platformës digjitale e-Albania, për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, efektivisht arrihet barazia e qytetarit në marrjen e shërbimeve.

Kush e kërkon shërbimin, i ri apo moshuar, vajzë apo djalë, i pasur apo i varfër, në kryeqytet, në cilindo qytet apo fshat të largët, merr të njëjtin shërbim, të shpejtë, të sigurtë, 100% efikas dhe 24/7.

E merr aty ku jeton, pa pasur nevojën të udhëtojë apo të lërë ditën e punës. Pa pasur nevojë të telefonojë kushëririn që punon në bashki apo shokun që njeh Andon Ledhin e sporteleve shtetërore.

Përmes dixhitalizimit të shërbimeve realizohet një tjetër objektiv madhor, ai i eliminimit të korrupsionit, duke shmangur kontaktit fizik midis qytetarit dhe punonjësve të administratës.

Dua ta theksoj fort, se këtu nuk flas për administratën në tërësi, ata dhjetëra mijëra burra e gra të ndershme që punojnë me devotshmëri në shërbim të qytetarit, por për ata pak që duke shpërdoruar besimin e dhënë për qëllime personale kanë dëmtuar vazhdimisht imazhin e shtetit shqiptar.

Një editorial i publikuar pak kohë më parë në the “Economist”, theksonte se Revolucioni Digjital është shansi i artë i Ballkanit Perëndimor për të mbyllur hendekun zhvillimor me Bashkimin Europian.

E nëse kjo është e vërtetë, falë përqafimit të këtij revolucioni që në krye të herës, Shqipëria është sot në pararojë të këtij zhvillimi, si vendi më i avancuar i rajonit përsa i përket e-qeverisjes.

Sipas Barometrit Ballkanik, në Anketën e Opinionit Publik të zhvilluar në vitin 2021 nga Këshilli për Bashkëpunimin Rajonal, Shqipëria shënon nivelet më të larta të kënaqësisë lidhur me përdorimin e shërbimeve elektronike, gati tre herë më të larta se mesatarja rajonale dhe disa herë më të lartë se vende të tjera të rajonit.

Duke përjashtuar personat që nuk dhanë përgjigje, 70% e qytetarëve janë të kënaqur nga shërbimet e ofruara dhe mbi 20% e dinë që këto shërbime ekzistojnë, edhe pse nuk kanë pasur nevojë t’i përdorin.

Mesatarja e kënaqësisë në rajon është 27%.

Jemi gjithashtu të vetmit në rajon, që për nga larmia dhe efikasiteti i shërbimeve të ofruara, lëmë pas edhe vende të Bashkimit Europian.

E duke cituar një tjetër media prestigjioze… “The Guardian” që sfidon qëndrimin se nuk ka një recetë ekzakte për të mposhtur korrupsionin; ekonomistët  ofrojnë një recetë moderne me shtatë përbërës.

E para, fiskalizimi dhe automatizimi i mbledhjes së taksave.

E dyta, përdorimi i mjeteve teknologjike për të rritur besimin tek institucionet.

E treta. Ndërtimi i sistemeve automatike, në gjendje për të shkëmbyer informacion në kohë reale me vendet partnere.

E katërta. Dixhitalizimi në masë i shërbimeve publike.

E pesta. Parandalimi si mjet shumë më efikas dhe shumë më pak i kushtueshëm se ndëshkimi.

E gjashta. Aplikimi i praktikave më të mira në rang botëror në kontekstin lokal.

Dhe e fundit. Avancimi i vazhdueshëm i demokracisë, sepse fuqizimi i shtetit ligjor është themeli i  çdo përpjekje për të luftuar korrupsionin.

E nëse ky është plumbi i argjendtë për të mposhtur korrupsionin, kam kënaqësinë të konstatoj se të shtatë përbërësit, janë tashmë pjesë e tryezës sonë, e strategjisë afatgjatë të kësaj qeverie për garantimin e standarteve europiane që qytetarët tanë meritojnë.

Zonja dhe Zotërinj

Kur në mandatin e parë trashëguam vetëm tre shërbime të automatizuara, përpara se të rrisnim numrin e tyre në mbi 1 mijë që janë sot, përpara Bashkëqeverisjes, përpara E-Albanias, rruga e gjatë e modernizimit të shërbimeve nisi me portalin “StopKorrupsionit”.

Një portal që do të mbahet mend në mënyrë figurative si viti zero, ai që bën diferencën midis erës së Shqipërisë së radhëve kilometrike, korrupsionit dhe shërbimeve lodhëse, me Shqipërinë moderne që përqafon krahëhapur Revolucionin Dixhital.

Por, a e dini se kur Stop Korrupsioni nisi punë në 2015-n çdo muaj, në zyrat e shtetit jepeshin 300 mijë vërtetime për qytetarin dhe biznesin, ndërsa online ZERO.

300 mijë vërtetime në dorë, 300 mijë qytetarë që prisnin në radhë dhe paguanin, çdo muaj për të marrë shërbimin që u nevojitej.

Ndërsa në 2021, numri i vërtetimeve të ofruara online u rrit në 750 mijë në muaj, dhe ai vërtetimeve të lëshuara fizikisht nga zyrat e shtetit ishte vetëm 18 mijë.

Pra, 750 mijë qytetarë që mbarojnë punë brenda pak minutash, pa paguar asnjë qindarkë, pa krijuar asnjë radhë.

750 mijë qytetatë të kënaqur, që përfitojnë në kohë reale 24/7, shërbimin e kërkuar.

Me mbylljen e sporteleve, edhe ato pak shërbime për të cilat sot nevojitet të paraqitesh në zyrë, dixhitalizohen, duke bërë që Shqipëria, efektivisht të jetë një ndër pak vende të botës, e cila ka automatizuar plotësisht raportin shtet-qytetar.

Më lejoni të ndaj me ju disa të dhëna të Raportit Kombëtar të Antikorrupsionit

Procedurat me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës, që në 2012 zinin pothuajse 40% të totalit të tenderave shtetërorë, falë teknologjisë sot zënë vetëm 0.7% të fondit total të shpenzuar.  Nga 63.4 miliardë lekë që ishte ky fond në 2020 u ul në 17 miliardë në 2021. Por kjo nuk do të bëhej e mundur në se programet e ngritjes së kapaciteteve të luftës kundër korrupsionit që u drejtoheshin rreth 4 mijë nëpunësve civilë, të mos shtriheshin edhe për 32 mijë tatimpagues 3 500 ekspertë kontabël, si dhe për 1 mijë operatorë ekonomikë.

Sot 99% e shërbimeve tatimore ofrohen online. Njëkohësisht, reforma e madhe e fiskalizimit po nxjerr në pozicion jashtë loje ekonominë gri, duke rritur të ardhurat në buxhetin e shtetit dhe duke parandaluar konkurrencën e pandershme.

E për të vazhduar me leshimin e 3.9 milionë receta elektronike për 410 mijë pacientë vetëm me një tekst në celular  të dërguar  nga 1505 mjekë të familjeve, gjatë vitit 2021.

34 shërbime doganore online, portalet e punësimit të mësuesve dhe infermierëve, kadastra online, 1.5 milionë shërbime të ofruara në rrugë dixhitale nga DPSHTRR, Komisariati Dixhital, e shumë më tepër.

Shumë prej këtyre arritjeve janë shënuar gjatë periudhës së pandemisë, një fatkeqësi e madhe kombëtare dhe botërore, por që të paktën në Shqipëri shërbeu për të përshpejtuar rrugën tonë drejt modernizimit.

Por Pandemia e Covid-19 tregoi se sa të drejtë kishte pasur programi zhvillimor i Qeverisë, dhe vizioni i Kryeministrit që i dhanë vëmendje investimeve në teknollogjinë digjitale, derregullimit dhe ri inxhinierit të shërbimeve, të cilat lehtësuan gjithë jetën administrative të qytetarëve dhe bizneseve dhe në kushtet e izolimit të detyruar.

Ishte pikërisht kjo periudhë që u imponoi  pozitivisht qytetarëve të përdorin të gjitha shërbimet digjitale të ofruara,  edhe duke  “vetë mësuar” si t’i përdorin ato.

Gjatë këtyre ditëve ju do të informoheni më gjerësisht se cfarë transformimi kanë pësuar edhe administratat e agjencive shërbim ofruese për të parandaluar korrupsionin, por edhe për të aftësuar personelin e tyre se sic thotë Malcolm Gladwell në librin e tij “Outliers” “përsëritja është çelësi i një pune të bërë mirë”.

Mund të vazhdoj kështu shumë më gjatë. Por, dëshiroj të theksoj se Konferenca 3-ditore këtu nuk është një monolog, në të cilin prezantojmë arritjet tona më të spikatura.

Besoj, se të gjithë ne, folësit dhe pjesëmarrësit e kësaj konference jemi të vetëdijshëm që kjo nuk është as koha për t’u vetkënaqur dhe as koha për të deklaruar fitore.

Siç e tha edhe Kryeministri, është fakt që pavarësisht avancimeve të pamohueshme, mbetet ende shumë për të bërë. Qytetarët tanë duhet të përfitojnë standartet që meritojnë dhe detyra jonë, është që debatet dhe idetë tona t’i kanalizojmë për të ecur edhe më shpejt, e për të bërë edhe më mirë.

Korrupsioni sipas Rafaelle Cantone dhe Francesco Caringella “… përpara se të jetë një krim, është një mendësi e favorizuar nga një qëndrim kulturor i atyre që besojnë se për të arritur një rezultat të caktuar është e ligjshme të përdoret cdo mjet”

Por mendësitë ndryshojnë shpejt në se udhehiqen nga përmirsimet teknollogjike dhe ligjore dhe përqafojnë një kulture të re.

Shqipëria ka humbur shumë kohë e përhumbur në labirintin e historisë apo në hullitë e hendeqet e cic-miceve të luftës politike.

Sot, Revolucioni Dixhital është një lloj indulgjence, një lloj rrëfimi që të nxjerr qelibar dhe të bëb të përparosh me shpejtësi.

Është një shans, që kurrsesi nuk mund ta humbim, në kalimin nga bota e shërbimeve për sy e faqe, në botën e shërbimeve efikase, atë të Shqipërisë së avancuar.

Ju faleminderit për vëmendjen