Publikuar më: 28/09/2022
Fjala – 28 Shtator 2022 – KPP
Miremengjes te gjitheve,
I nderuar xxxx,
I nderuar xxxx,
Kënaqësi të jem këtu mes të ftuarish, që na kanë nderuar me praninë e tyre në këtë organizim të rradhës nga Komisioni i Prokurimit Publik. Vetëm pak javë më parë në Ministerialin e zhvilluar në Shkup, nga RESPA dhe SIGMA-OECD, KPP-ja ishte një ndër institucionet në rajon, që u vlerësua me ”Njohje speciale për besimin në administratën publike për sistemin E-Ankesa”, një cmim i cili konfirmon punën voluminoze që po bëhet prej Tetorit 2021, periudhë në të cilën ky sistem funksion, duke ofruar informacion në kohë reale për të gjitha palët e interesuara, përmirësuar ndërveprimin me subjektet, rritur transparencën dhe efektshmërinë, ulur kostot, si dhe duke rritur përgjegjshmërinë e Komisionit të Prokurimit Publik ndaj të gjitha palëve.
Nëpërmjet këtij sistemi, ulet me dy ditë koha e shqyrtimit të ankesave në sajë të ndërveprimit më të shpejtë me autoritetet kontraktore dhe operatorët ekonomikë, nëpërmjet sistemit digjital të e-Ankesave.
Doja ta nisja fjalën time me këtë vlerësim të punës së KPP-së jo pa qëllim, mqs Shqipëria tashmë është futur në një fazë te re dhe shumë të rëndësishme, pas celjes zyrtare të negociatave me BE-në, ku sigurisht edhe KPP-ja ka rolin e saj në Kapitullin e 5-të, në bisedimet teknike që kemi nisur në Bruksel.
Vizioni ynë ishte i qartë që në pikënisjen e tij. KPP-ja duhet të ofrojë informacion në kohë reale për të gjithë, duke përfshirë personat me aftësi të kufizuar në shikim: verbëri, verbëri ngjyrash, rezolucion të ulët në shikim. Një motor i posaçëm aksesimi është implementuar në faqen tonë zyrtare, shërbim i ofruar për herë të parë nga një institucion publik në Shqipëri. Ne, jo vetëm që kemi vendosur të jemi transparentë, por nivelin e transparencës ta përkthejmë në standardin më të mirë ndërkombëtar që është sot për sot në fushën e prokurimeve, atë të Open Contracting Partnership.
Të vendosësh në standard të hapur të gjithë vendimmarrjen e institucionit nuk është e lehtë dhe jo të gjithë do të jenë të kënaqur, por ne jemi të ndërgjegjshëm, se kjo është rruga e vetme për institucionin e Komisionit të Prokurimit Publik: Të jetë i hapur, transparent dhe të mundësojë akses të plotë të veprimtarisë së tij. Kjo reformë dhe kjo politikë kaq e rëndësishme publike, me një impakt të drejtpërdrejtë social në të gjitha grupet e interesit, nisur nga një institucion i vogël, por hallkë tepër e rëndësishme në zinxhirin e prokurimit, nuk do të kishte qenë kurrsesi e mundur pa mbështetjen e Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Mbështetja ndaj zërit dhe kërkesës së një institucioni të pavarur ka qenë esenciale në përfundimin në një kohë rekord, duke e kthyer Shqipërinë, në një ndër vendet e para dhe të pakta në rajon dhe në botë, që ka përfshirë edhe procesin e dorëzimit dhe të shqyrtimit të ankesave online në fushën e prokurimeve, si dhe një nivel krejt të ri të transparencës së organeve të shqyrtimit të ankesave.
Procesi i kalimit nga analog në digjital, nga dokumentacion shkresor në JSON, nuk është një rrugë e lehtë, ndaj ne jemi mbështetur në ekspertizën më të mirë ndërkombëtare, atë të Open Contracting Partnership. Kësisoj, Shqipëria është kthyer në promotore të një standardi të ri të publikimit të veprimtarisë së organit shqyrtues të ankesave në rang rajonal dhe më gjerë. Që në krye të herës jemi kujdesur, që ky sistem të ndërtohet në konsultim të përbashkët me biznesin, përfaqësuar nga Unioni i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, ndaj për më shumë se një muaj kemi qenë në çdo qark, për të trajnuar falas mbi 1000 operatorë ekonomikë dhe autoritete kontraktore, me mbi 24 orë trajnimi. Reforma e digjitalizimit është ndërlidhur edhe me reformën e forcimit të kapaciteteve të institucionit të Komisionit të Prokurimit Publik.
Në zbatim të rekomandimeve, si të Kuvendit të Shqipërisë ashtu edhe të Komisionit Europian, falë edhe mbështetjes së Kuvendit, KPP-ja në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, hartoi një kurrikul të posaçme trajnimi për zyrtarët e KPP-së. Për më shumë se 196 orë, stafi i Komisionit është trajnuar intensivisht nga pedagogët e tri fakulteteve kryesore në vend. Gjithashtu, gjatë vitit që lamë pas, kemi dëgjuar edhe sugjerimet për përmirësimin e shqyrtimit të ankesave, me anë të konferencës së organizuar në nivel kombëtar, me më shumë se 70 autoritete kontraktore dhe operatorë ekonomikë.
Së dyti, hyrja në fuqi e ligjit të ri për prokurimin publik, ka sjellë një moment të rëndësishëm për sistemin në tërësi. Ligji i ri ka sjellë ndryshime thelbësore materiale dhe procedurale, ndaj dhe përgjegjësia e Komisionit të Prokurimit Publik ka qenë edhe më e lartë në vendosjen e praktikave të konsoliduara, mbi trajtimin e çështjeve të reja për këtë institucion, në dhjetëvjeçarin e funksionimit të tij.
Nga 5079 procedura të publikuara në Sistemin e Prokurimeve Elektronike gjatvitit 2021, janë administruar 768 ankesa pranë Komisionit të Prokurimit Publik, nga të cilat, 3 prej tyre për procedura ankandi, 1 lidhur me lejet minerare, 2 ankesa në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë dhe 762 për procedurat e prokurimit publik, të cilat përbëjnë 9.2 % të buxhetit të prokuruar në rang kombëtar.
Gjatë vitit 2021, Komisioni është shprehur me 676 vendime përfundimtare, me një kohë mesatare të trajtimit të ankesave prej 16 ditësh, ndërkohë numri i ankesave të trajtuara jashtë afatit ligjor, ka rënë me 50 % nga viti paraardhës, me treguesit më të mirë në dhjetëvjecarin e funksionimit të tij.
Në këtë periudhë KPP-ja, ka marrë tri masa administrative gjobë për titullarët e autoriteteve kontraktore, ka dërguar për hetime të mëtejshme tri çështje pranë Autoritetit të Konkurrencës dhe për hetime administrative njëmbëdhjetë çështje pranë Agjencisë së Prokurimit Publik. Për herë të parë në dhjetëvjeçarin e fundit, KPP-ja është shprehur edhe me vendime interpretuese, duke publikuar njëherazi në faqen zyrtare dhe buletinet periodike, për të gjithë operatorët ekonomikë dhe autoritetet kontraktore, njoftime mbi praktikën vendimmarrëse në çështje specifike, me rëndësi për sistemin dhe me synim shmangien e përsëritjes së problematikave të konstatuara. Qëndrueshmëria e vendimmarrjes së Komisionit është konfirmuar edhe nga Gjykata administrative, si në drejtim të numrit më të ulët të padive të paraqitura kundër vendimeve të Komisionit krahasuar me vitet e mëparshme, por edhe në raport me vendimmarrjen e Gjykatës, ku vetëm 6 vendimmarrje të Komisionit janë ndryshuar nga Gjykata dhe jo me një vendim të formës së prerë.
Qeveria shqiptare është plotësisht e angazhuar të vazhdojë rrugën e transformimit në ofrimin e shërbimeve publike online, pavarësisht sulmeve kibernetike që kanë ndodhur sëfundmi. Raporti i OECD/SIGMA ‘Parimet e Administratës Publike’ evidentoi se Shqipëria ka bërë përparim të pandërprerë në shumicën e sektorëve, pavarësisht periudhës së pandemisë, duke u pozicionuar si kryesuese në rajonin e Ballkanit Perëndimor në të gjitha fushat kyçe, me theks të veçantë në ofrimin e shërbimeve. Përdorimi i mjeteve digjitale dhe teknologjive bashkëkohore ka treguar se digjitalizimi është tejet i dobishëm për forcimin e përpjekjeve për adresimin e korrupsionit, si dhe për futjen e kulturës së integritetit në administratën publike shqiptare.
Raporti i SIGMA-s, dëshmon se treguesi i vlerësimit për shërbimet digjitale është rritur me 3.8% në vitin 2021 krahasuar me 3.3% në vitin 2017. Vlerësimet dhe raportet e ndryshme ndërkombëtare tregojnë që jemi në rrugën e duhur, hapat e ndërmarrë me gjithë skepticizmin e momentit të parë, tregojnë se transformimi epokal, jo vetëm që është gjëja e duhur, për të kapur ritmin e zhvillimit por është përthithur nga publiku, referuar të dhënave që na vijnë nga portali i E-Albania, ku vetëm në periudhën Janar-Shtator 2022, janë gjeneruar 21 milion dokumente me vulë elektronike.
“Shërbime digjitale gjithëpërfshirëse dhe pa kufij për qytetarët dhe bizneset” është vizioni, i cili është përfshirë edhe në Agjendën Digjitale të Shqipërisë 2022-2026.
Ne, si qeveri nuk do rreshtim së punuari në përmirësimin dhe modernizimin e sistemeve elektronike në të gjithë sektorët me synim automatizimin dhe lehtësimin e jetës së qytetarëve dhe biznesit si dhe veprimtarisë së administratës publike.
Me kalimin 95% online të shërbimeve publike nga data 1 maj, tashmë jemi në një moment ku nuk mjafton vetëm ofrimi i këtyre shërbimeve online, por që duhen ofruar edhe me standard, e padiskutim që ne po kërkojmë të implementojmë standarde që janë të pranuar anga Bashkimi Evropian. Ne, me ekipin e Ministrit të Shtetit për Standardet e Shërbimeve që prej Shtatorit të vitit 2021, po punohet intensivisht në realizimin e nja nga objektivat prioritar sikurse është zhvillimi dhe monitorimi i politikave dhe strategjive shtetërore për sigurimin e standardeve për ofrimin e shërbimeve publike.
Prej ditësh kemi hedhur për konsultim publik online, dokumentin strategjik për standardet e Shërbimeve publike në Shqipëri, e me këtë rast ftoj këdo që është i interesuar ta konsultojë këtë dokument dhe pse jo të adresojë cështje që mund të lidhen me përmirësimin e tij. Një tjetër moment i rëndësishëm në punën që po bëjmë është edhe hartimi i Barometrit të Cilësisë së Shërbimit Publik. Barometri ka për qëllim të mbledhë, përpunojë dhe publikojë tregues të cilësisë së shërbimeve të lëvruara nga institucionet e nivelit qendror. Për rrjedhojë, barometri pritet të rrisë shkallën e përgjegjshmërisë/llogari-dhënies tek vetë institucionet dhe të promovojë një kulturë të re performance në mjedisin e administratës publike. Përvoja e qytetarëve dhe e bizneseve do të jetë e matshme dhe e përmbledhur, e do të na japë një panoramë të qartë se si këto shërbime ofrohen dhe si mund të përmirësohen vazhdimisht.
Jam besimplotë se bashkëpunimi i vyer me KPP-në do të shërbejë si një model pozitiv, që ta shtrijmë bashkëpunimin ndërinstitucional në implementimin e këtyre hapave edhe me institucione të tjera në vend që ofrojnë shërbime. Ju faleminderit dhe ju uroj një ditë pune të mbarë sot.