Publikuar më: 10/03/2022

Fjala Parlament – 10 Mars 2022

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Faleminderit, zonja drejtuese e senacës!

Të nderuar kolegë deputetë,

Në fakt, në datën 6 mars të gjithë qytetarët durrsakë i dhanë besimin PS-së si alternativa më e mirë udhëheqëse e tyre dhe besuan shumë fort që kryetarja në detyrë, që tashmë u bë e zgjedhur, Emirjana Sako, kishte për ta çuar Durrësin përpara. Nuk ishte një votim që nuk kërkonte punë, ishte një votim, ku duhej t’i bindje qytetarët për ta dhënë votën siç duhej. Në fakt, ata e kishin orientimin e drejtë, sepse shikonin rrumpallëhanë nga ana tjetër dhe shikonin seriozitetin nga ana e PS-së. Ata e kishin të qartë se me këtë kryetare bashkie, e cila ishte zgjedhur dhe i kishte qëndruar qytetit afër në kushtet e vështira që kaloi me rindërtimin dhe me pandeminë, të frymëzuar edhe nga Kryeministri i Shqipërisë, zoti Edi Rama, i cili nuk është vetëm deputet i zonës së Durrësit, por është edhe një nxitës e një inspirues i investimeve strategjike në qytet, Durrësi do të merrte pikërisht pamjen që i duhej si porta hyrëse jo vetëm tregtare, por edhe si porta hyrëse turistike dhe kulturore e Shqipërisë.

Në Durrës vërtet është bërë shumë, u adresuan problemet e mëdha të rindërtimit dhe këtë e bëri një qeveri e përgjegjshme, si ajo e Edi Ramës dhe e PS-së, dhe kryetarja e re, deri dje në detyrë dhe sot e zgjedhur, e di fort mirë se ka përpara shumë punë të mëdha për rindërtimin dhe për transformimin e Durrësit. Megjithatë, ne jemi dëshmitarë të disa gjërave të rëndësishme të tjera përveç rindërtimit që kanë ndodhur në Durrës.

Durrësi kaloi një verë të vështirë, verën e vitit 2021 për sa i takon situatës së mbetjeve në qytet dhe në zonën bregdetare. Falë bashkëpunimit institucional në nivel qendror dhe në nivel lokal qyteti arriti ta pastrohej dhe të ketë një zgjidhje të qëndrueshme edhe për këtë verë që vjen, verën e vitit 2022. Kjo ndodhi sepse qyteti u udhëhoq nga vizioni i qeverisë për një Shqipëri të pastër, pa plehra, me një zhvillim të qëndrueshëm, të integruar të mbetjeve, duke përdorur burimet natyrore me eficiencë dhe kjo u bë e mundur, sepse, në fakt, nuk ishte një proces i rastësishëm.

Në vitin 2018 Ministria e Mjedisit me Bashkinë e Durrësit së bashku me ndihmën e një projekt zviceran kishin bërë analizën për të identifikuar të gjitha vendpërqëndrimet dhe venddepozitimet e mbetjeve, që mund të ishin legale dhe ilegale jo vetëm në Durrës, por edhe në gjithë Shqipërinë dhe kishin parë që venddepozitimet ilegale ishin rreth 199 në territorin e vendit, të cilat duhej të mbylleshin, por para se kalonin në mbyllje, duhej që çdo bashki të bënte venddepozitim me parametra higjieno-sanitarë dhe teknikë të pranueshme dhe më pas të kalonte në përpunimin fundor të mbetjeve.

Për këtë arsye, në Durrës, me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit, në datën 13.01.2020 u mbyll venddepozitimi i mbetjeve në Spitallë, që sot është shndërruar në ekoparkun e qytetit, ku ka një transformim rrënjësor të asaj kodrës së mbeturinave që lëshonte një aromë të keqe në qytetin e Durrësit dhe sot është shndërruar në një vend, i cili mund t’u shërbejë shumë mirë jo vetëm familjeve durrsake, por edhe familjeve të tjera. Meqenëse venddepozitimet nuk kishin parametrat e duhur, edhe në Vardardhë të Durrësit, edhe në Fushë-Bizë të Ishmit, edhe në Grykë Minierë të Manzës venddepozitimet po mbylleshin.

Fakti që vend-depozitimet po mbylleshin tërhoqi vëmendjen e Ministrisë së Infrastrukturës, e cila sugjeroi edhe një studim për të parë se me çfarë formash mund të mbulohet qyteti i Durrësit për të pastruar mbeturinat që prodhonin banorët dhe të gjithë operatorët turistikë. Në fakt, studimi i fizibilitetit solli disa opsione. Opsionet që erdhën, kishin të bënin me ndërtimin e një landfilli të ri në bashkëpunim me shoqërinë koncesionare të mbetjeve në Elbasan, atë të Fierit dhe atë të Tiranës. Pasi u studiuan të gjithë parametrat tekniko-ekonomikë, edhe për Durrësin u vendos që vend-depozitimi fundor i mbetjeve të bëhej në landfillin e Tiranës. Kështu, me një vendim të këshillit bashkiak u shtua buxheti që i duhej bashkisë për t’i procesuar këto mbeturina dhe të gjitha gjërat kanë qenë në një proces, i cili ka shkuar hap pas hapi, i ndjekur nga kjo kryebashkiake në detyrë, e përgjegjshme për qytetin e vet që duhej të ishte shumë i pastër.

Unë besoj se kjo është e vërteta për Durrësin dhe për këtë të vërtetë për Durrësin vendimet për ta çuar vend-depozitimin në landfillin e Tiranës kanë qenë vendime të nisura hap pas hapi dhe më një frymë korrekte miratimesh. Ne mund të shkojmë dhe të shikojmë se si është operuar në këtë komision hetimor, që u ngrit në parlament me kërkesën e opozitës. Në fakt, e vërteta e këtij komisioni hetimor është që duhej parë si një aksion, i cili kërkon të japë informacion për publikun në dy drejtime kryesore:

E para, a po jepte të vërtetën objektive ky komision hetimor për t’i informuar qytetarët dhe publikun se gjithçka, që kishte ndodhur deri në atë kohë, ishte e drejtë dhe si duhej apo ishte vetëm një aksion ditor politik i opozitës?

Unë besoj se në këtë situatë duhet të kemi parasysh që kemi dy ngjarje të rëndësishme për të diskutuar. E para lidhet me paratë. 430- milionëshi ishte i angazhuar dhe jo i llogaritur siç duhet, dhe aspak i harxhuar. Në fakt, janë harxhuar vetëm 55 milionë që lidhen me dy inceneratorët, të cilët janë sot në gjendje faktike në qytetin e Fierit, të Elbasanit, që pastrojnë bashkitë e këtyre zonave dhe pak më gjerë.

Faktori i dytë është ai që ka të bëjë me situatën që po përjetojmë sot në Tiranë. Në Tiranë e gjithë paketa koncesionare, që është një paketë e formës BOT, ka të bëjë me përpunimin hierarkik të piramidës së mbetjeve, e orientuar e gjitha nga rregulloret e BE-së. Pra, impianti i përpunimit të mbetjeve, që po ndërtohet në Tiranë, është një impiant shumë modern, i cili ka të bëjë me grumbullimin, me seleksionimin, me riciklimin, kur është i mundur, ka të bëjë me djegien e mbeturinave biologjike, me prodhimin e energjisë që vjen nga djegia e këtyre mbeturinave.

Prandaj nuk është një gjë e thjeshtë. Në çdo hallkë të procesit, çdo veprim u provua se ishte bërë sipas ligjeve dhe të gjitha formave të veprimit të institucioneve tona. Ndërkohë, ne të gjithë kemi qenë dëshmitarë që në komisionin hetimor kanë ardhur dhe janë ulur jo vetëm nëpunës të shtetit, por dhe drejtuesit politikë të PS-së dhe ministra, zëvendëskryeministri, të cilët kanë referuar me përgjegjësi të plotë për çdo aksion.

Përveç kësaj duhet të kemi parasysh edhe një gjë, që për një operacion politik ditor, siç mori përsipër PD-ja të bënte në këtë komision duke qenë edhe minorancë, ne nuk mund t’i vendosim njerëzit dhe teknikët tanë nën atë presion dhe intimidim që ndonjëherë ishte i orientuar për të marrë ata përgjigjen që donin. Kjo ishte e vërtetë edhe për njerëzit që u ulën dhe raportuan në komision. Është e rëndësishme të theksojmë se në të gjitha proceset e pyetjepërgjigjeve, që ndodhën në këtë komision hetimor, gjërat u faktuan nga dokumentet që prodhuan institucionet shqiptare, institucione, të cilat e kanë shumë të qartë që të kryesh detyrën është hapi i parë i përgjegjësisë, nuk mund t’u shmangesh detyrave sipas ligjeve dhe të gjithë kornizës tjetër ligjore në Republikën e Shqipërisë.

Dua t’i përgjigjem edhe zotit Gështenja, që ngriti pak më parë disa çështje lidhur me ngritjen e çmimeve. Zoti Gështenja, duhet të kini parasysh që rritja e çmimeve në Republikën e Shqipërisë nuk është një rritje që vjen nga brenda, por është një rritje e çmimeve që vjen nga faktorë të jashtëm. Kjo është e para që ju duhet të tregoni për këtë situatë.

Nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme të kemi parasysh që rritja e çmimeve, sidomos për energjinë, ka qenë në vëmendje të qeverisë shqiptare. Qeveria shqiptare ka bërë shumë kujdes që çmimet e konsumatorit familjar për energjinë dhe për biznesin e vogël të mos rriten. Qeveria shqiptare vazhdon dhe jep kontribut 45 milionë dollarë për t’u thënë atyre që familjet, të cilat janë në nevojë, do të kenë një kompensim të energjisë për çmimin 2 lekë mbi 7,5 lekë, duke mos e lëvizur çmimin 9,5 lekë për kilovat/orë që ne paguajmë sot. Kjo është një e vërtetë që duhet t’ia themi publikut.

Nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme të kemi parasysh që në këtë situatë që po kalon vendi ne duhet të kemi kurajën të përballemi me dinjitet dhe kjo është një kurajë civile që vjen duke pyetur të gjitha grupet e interesit dhe jo ta përdorësh këtë situatë në funksion të disa interesave politike. Unë besoj se është një moment kur duhet të bëjmë shumë kujdes. Ne kemi përgjegjësinë që publikut dhe shoqërisë shqiptare, e para, t’u themi të vërtetën. E dyta, t’i orientojmë siç duhet në ngjarje, që nuk janë vetëm ngjarje të kompleksitetit shqiptar, por janë edhe pak më gjerë sesa kaq.

Ju faleminderit!