Publikuar më: 11/04/2022

Fjala Parlament – 11 Prill 2022

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

E nderuar Drejtuese e seancës,

Të nderuar kolegë deputetë,

Shumë të nderuar qytetarë,

Ne sot vijmë në këtë seancë speciale të parlamentit, mbas një jave ku lamë pas dy aktivitete shumë të rëndësishme për Partinë Socialiste:

I pari kishte të bënte me publikimin e rezultateve të Këshillimit Kombëtar dhe I dyti: Kongresi Kombëtar i Partisë Socialiste.

Procesi i Këshillimit Kombëtar ishte një proces kulminant i një mënyre të re komunikimi me qytetarët. Por, gjithashtu edhe një koncept i ri i ushtrimit të mandatit të tretë, që ne e fituam me votën e të gjithë votuesve.

Qeveria jonë socialiste marrëdhënien me qytetarin e ka shumë të rëndësishme, ndaj për këtë ne hartuam dhe një ligj të veçantë që na e bëri marrëdhënien më të drejtpërdrejtë. Por kjo nuk do të ishte e mundur, nese ne gjatë kësaj periudhe nuk do të kishim arritur të realizonim dhënien e shërbimeve administrative publike online për qytetarët tanë. Sot 95% e shërbimeve publike jepen online dhe këto shërbime i kanë kursyer qytetarëve shqiptarë 766 vite rradhë, 6.5 milionë euro dhe i kanë kushtuar 160 milionë letër A4 më pak qeverisjes administrative.

Përfshirja e drejtpërsëdrejtë e qytetarëve në politikëbërje i jep mundësinë gjithësecilit të japë mendimin e tij, pavarësisht distancës fizike që mund të ketë institucioni me qytetarin, sepse mënyra e dorëzimit të opinionit është lejuar të bëhet në disa forma: online, me postë apo në tendat e ngritura në 61 bashki.

Prandaj, më shumë se gjysëm milioni qytetarë shqiptarë iu përgjigjën pyetësorit të Këshillimit Kombëtar dhe në të 61 bashkitë e vendit ne morëm përgjigje prej tyre. Unë në fakt dua të falenderoj shumë 19,301 qytetarët durrsakë, të cilët u përgjigjën me postë apo nëpërmjet tendave në të gjithë Durrësin dhe dua t’i siguroj qytetarët shqiptarë, se informacionet që ata japin janë informacione që i mbron konfindencialiteti i të dhënës.

Qytetarët u bënë bashkë me ne, morën pjesë në bashkëqeverisje për tema shumë të rëndësishme siç është ajo e shëndetësisë, e trajtimit të disa shtresave vulnerabël në shoqërinë tonë si nënat me shumë fëmijë të mitur, punësimit, pensioneve, fiskalitetit, drejtësisë, mjedisit, integrimit dhe politikës së jashtme në kuadër të nismës së Ballkanit të Hapur.

Duke marë përgjigje nga këto fusha padyshim që e gjithë administrata jonë duhet të marrë tani përsipër të punojë me akte të tjera ligjore, të hartojë paketa speciale për t’i ardhur në ndihmë zgjidhjes së këtyre ideve që ndamë së bashku.

Së pari për Open Balkan:

Open Balkan mori një mbështetje shumë të fortë nga këshillimi kombëtar, 59% e qytetarëve votuan sepse është një nismë jo vetëm në interes të fqinjësisë së mirë por edhe një nismë që i shërben në thelb të gjithë shqiptarëve: duke hequr kufijtë e lëvizjes për mallrat, shërbimet, kapitalet dhe njerëzit, pra duke hequr fragmentizimin e tregut nga rajoni jonë ai synon të krijojë një hapje të ekonomisë, e cila nga ana e saj sjell një rritje më të madhe ekonomike për të gjithë vendet.

Opinioni i shqiptarëve ishte gjithashtu pozitiv përsa i përket amnistisë fiskale, e cila merr përsipër që në një mënyrë shumë të detajuar të formalizojë kursimet e të njihet djersa e ndershme e shqiptarëve në emigracion dhe që duan që t’i sjellin ato këtu në vendin tonë.

Por ato dhanë gjithashtu dhe një opinion lidhur me ndëshkimin që duhet të kenë punëdhënësit abuzues, kur nuk paguajnë si duhet punëmarrësit e tyre, ndaj masat ndaj tyre duhen shtërnguar.

Gjithashtu, një vëmendje të veçantë mori edhe mbrojtja e nënave me fëmijë të mitur, kur ato kanë shumë fëmijë në këtë moshë duke u garantuar atyre një paketë mbështetëse, e cila duhet të jetë shumë dimensionale dhe në këtë formë do të punojë Qeveria.

Por nga ana tjetër në këtë Këshillim Kombëtar ne pyetëm dhe për ata, që i përkasin moshës së tretë, për pensionistët që kanë dalë në pension dhe vazhdojnë punojnë si punonjës në familje apo ndihmojnë të afërmit e tyre në bizneset e vogla dhe të gjithë kërkuan që për ato të mos njihej më sigurimi shoqëror, ndaj Qeveria jonë duhet të punojë duke dëgjuar mirë me veshin e saj të gjithë këtë zë që vjen nga bashkëqeverisja.

Megjithatë në Kongres, ne duke patur parasysh këto rezultate patëm në vëmendje tre çështje kryesore: Siguri, Përkujdesje dhe Zhvillim.

Prandaj dhe planet tona të ardhshme kanë të bëjnë me sigurinë, që në këtë moment në luftën që po ndodh në Rajonin e Europës të kemi në vëmendje një rritje të sigurisë kombëtare dhe një përkujdesje ekonomiko-sociale për të gjithë qytetarët.

Përkujdesja që do të thotë më shumë vëmendje ndaj shtresave të shoqërisë në nevojë, për ata që do të kenë nevojë të kenë një mjedis mbrojtës ndaj tyre.

Kjo përkujdesje ndaj shtresave në nevojë duhet të shoqërohet dhe me një lloj përkujdesje-je tjetër, që është përkujdesja ndaj mjedisit; sepse vetëm kështu ne do të mund të lëmë një mjedis më të mirë dhe më të drejtë për brezat tanë të ardhshëm për të jetuar në vendin tonë nesër.

Zhvillimi ekonomik dhe social i qytetarëve: duke parë mundësi të reja zhvillimi për të gjithë qytetarët duhet të kemi parasysh që ne po mundohemi fort nëpërmjet tregut të hapur dhe Ballkanit të Hapur, të krijojmë më shumë vende pune duke mbështetur inovacionin dhe prodhimin në sektorët strategjik, por bashkë me to duke u kujdesur shumë dhe për profesionet e reja, që do të duhen për të shkëmbyer më shumë midis nesh.

Ne socialistët, Këshillimin Kombëtar e shohim si një praktikë politike, e cila kërkon bashkimin dhe jo ndarjen, sepse për ne mënyra se si duhet të punojmë për Shqipërinë e së nesërmes, është një mënyrë bashkimi dhe duhet ta shikojmë të gjithë bashkë, sidomos në këto kushte që janë kaq specifike për kohën dhe duhet ta mendojmë të gjithë së bashku vizionin për Shqipërinë tonë të së ardhmes. Pavarësisht nga përkatësitë tona politike, ne e shikojmë se sot më shumë se kurrë ne duhet të kujdesemi për njëri-tjetrin, sidomos për shtresat në nevojë.

Prandaj, Përkujdesja do të jetë kryefjala jonë në politikën e ditëve që vijnë dhe për këtë arsye ne nuk e hartuam më kot Paketën e Rezistencës Sociale dhe kjo paketë kishte të bënte me mbrojtjen, që po u bëhet të gjitha familjeve shqiptare apo atyre në nevojë, me çmimet që po vijnë në mënyrë të befasishme në rritje nga lufta në Rajon.

Ju e dini shumë mirë që nga 1 prilli kanë filluar të paguhen me ndihmë ekonomike 30 mijë lekë në muaj familjet, të cilat kanë persona në nevojë apo përfitimi i bonusit për 673,542 pensionistë.

Nga ana tjetër ne nuk rritëm për asnjë ditë çmimin e energjisë për të gjitha familjet shqiptare, për 95 mijë bizneset e vogla dhe iu dha mundësi bizneseve të mesme, 7,400 prej tyre që të mos e ndjenin peshën e rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Everia jonë krijoi mundësinë për t’i dhënë një shans të shtuar atyre që punojnë në sektorët urbanë, duke iu mundësuar mosrritjen e çmimit të biletës së transportit urban dhe ndërqytetas; duke u dhënë kështu mundësi të gjithëve që të jenë të brabartë në tregun e punës dhe të mendojnë me shumë kujdes për të ardhurat e tyre në këtë situatë të vështirë të rritjes së çmimeve në të gjithë globin.

Mos të harrojmë për asnjë çast që edhe Banka e Shqipërisë në mënyrë konstante po informon shoqërinë tonë lidhur me inflacionin e së nesërmes, e çdo muaji sepse kjo është një situatë e cila monitorohet jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha vendet e Europës.

Ndaj unë bëj edhe një thirrje, që ky Këshillim Kombëtar duhet të jetë i tillë, siç morën pjesë 500 mijë qytetarë dhe do të jetë një aktivitet përsëritës, të gjithë do të kenë një mundësi për të treguar problemet që i shqetësojnë ata më shumë, për të thënë nëpërmjet pyetjeve që u ruhet konfidencialiteti se cilat janë shqetësimet, që duan të adresojnë në Shqipërinë tonë, në Shqipërinë e fëmijëve tanë.

Faleminderit!