Publikuar më: 14/04/2022
Fjala Parlament – 14 Prill 2022
E nderuar Kryetare e seancës,
Të nderuar kolegë deputetë,
Shumë të nderuar qytetarë!
Unë do ta filloj fjalën time duke iu drejtuar të gjithëve, sepse ne jemi dëshmitarë të Raportit Të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili doli para pak kohësh. Por ne ndryshe nga opozita, që e keqpërdor këtë raport, bëjmë një lexim shumë të kujdesshëm, siç në fakt bëjmë gjithmonë kur kemi Raporte Ndërkombëtare dhe duhet të shënojmë me kujdes se cilat janë detyrat tona për të ardhmen. Ne i lexojmë me kujdes për të na u kthyer në një platformë veprimi, por të mos harrojmë se dhe në këtë Raport Ndërkombëtar të Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut, ai citon në mënyrë shumë specifike që e ka të vlerësuar lart përpjekjen që bëjnë autoritetet shqiptare për të luftuar korrupsionin, fenomen ky që nuk lindi me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste, por është një fenomen i kahershëm i shoqërisë që luftohet përditë dhe është një betejë që ne jemi duke e kryer. Gjithashtu, duhet të kemi parasysh që ky Departament dhe në këtë raport të tij i kushtohet shumë vëmendje luftës që po bën Qeveria shqiptare për të pastruar sistemin e drejtësisë. Ndaj, të gjithë përpjekjen tonë për të zbatuar vetingun ai e vlerëson duke thënë se deri në Shtator, 42% e gjyqtarëve dhe prokurorëve të verifikuar kishin dështuar dhe ishin shkarkuar, 36% kaluan dhe 22% dhanë dorëheqjen nga puna ose në pension.
Pra praktikat e deritanishme që ne kemi ndjekur kanë qenë praktika që i shërbejnë funksionimit më të mirë të Shtetit të së drejtës. Por gjithashtu DASH vlerëson shumë edhe përpjekjen që bëhet në Policinë e Shtetit nëpërmjet ngritjes dhe funksionimit në mënyrë të pavarur të Agjencisë së Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Policinë e Shtetit, të cilat merren me rastet e abuzimit një nga një të çdo punonjësi të Policisë së Shtetit dhe për këtë arsye në veprimtarinë e qeverisë shqiptare ky raport do të shihet me shumë kujdes, sikurse dhe çdo raport tjetër ndërkombëtar. Por Qeveria shqiptare nuk bën kujdes vetëm për këtë lloj raporti. Ajo bën kujdes dhe për të dëgjuar zërin e qytetarëve.
Ju kujtohet që pak kohë më parë sollëm në Kuvend një ligj për Bashkëqeverisjen dhe dialogimin me popullin, ndërkohë sidomos pala e opozitës e konsideroi si një ligj, i cili nuk do të bnëte punë por në fakt e ka treguar koha që Bashkëqeverisja ishte një formë e dëgjimit të zërit të popullit, pavarësisht nga ngjyra politike që kanë individët në Republikën e Shqipërisë; të majtë apo të djathtë për të ndihmuar administratën tonë publike për të qenë më e zhdërvjellët dhe më afër zgjidhjeve të problemeve që ato kishin. Por ama dëgjimi i këtij zëri krijoi dhe një mundësi, bëri një presion pozitiv mbi ngjarjet e reja në administratën publike shqiptare dhe ne jemi dëshmitarë, që administrata publike shqiptare sot ka më shumë shërbime online për qytetarët. Vetëm më një klik, pa paguar asgjë qytetarët shqiptarë marrin më shumë shërbime dhe për t’ju a sjellë në vëmendje dy ditë më parë gjithashtu Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim botoi një raport vjetor, që quhet përditësimi i sistemeve dhe shpërndarja e benefiteve të digjitalizimit; ku evidentohet edhe njëherë vëmendja e veçantë që Qeveria shqiptare i jep mundësuesve të shërbimeve digjitale dhe në fakt në këta mundësues digjitalë, ku Shqipëria kishte bërë një progres të pakrahasueshëm, numri i shërbimeve qeveritare në harkun kohor të një pesë vjeçari ishte rritur më shumë se 40%.
Ne jemi dëshmitarë të gjithë gjithashtu, se së fundmi ne kemi dy shërbime të reja online: shërbime që datojnë në muajin që lamë pas. Ne kemi Raportet mjekësore, ku mënyra e përfitimit të raporteve pa të drejtë kontrollohet tashmë nga mjeku i familjes dhe midis punëdhënësit dhe punëmarrësit gjithashtu që nga dje Qeveria shpalli një program digjital në fazën e dytë që ishte e-bileta, duke ndihmuar më shumë sektorin e transportit për të patur mundësi për të operuar me bileta që janë në një sistem fiskal të mbyllur dhe ky shërbim i ri erdhi pikërisht në momenin që Qeveria deklaroi, që do ishte një qeveri e përgjegjshme në përkujdesje të popullatës shqiptare në një moment kur çmimet e produkteve të shportës dhe shërbimeve bazë të qytetarit u rritën.
Siç kemi thënë Qeveria vuri në dispozicion një fond për të gjitha agjencitë e transportit, në mënyrë që të punësuarit që lëvizin e janë mobilë në tregun e punës, në zonë urbane apo rurale mos të penalizohen nga rritja e çmimeve të karburantit dhe për këtë arsye platforma e e-bileta i vjen në ndihmë pikërisht angazhimit që Qeveria mori për të qenë afër popullatës e për të treguar përkujdesje. Por, ne këtë përkujdesje nuk e tregojmë vetëm në këto forma, ne e kuptojmë që nuk është një situatë e lehtë.
Ne e kuptojmë shumë mirë që është një situatë e vështirë, ku zëri i të gjithëve duhet dëgjuar pavarësisht nga kahu politik që ai vjen. Ne duhet të mendojmë që është një histori që nuk i takon vetëm Shqipërisë, por të gjithë Europës dhe vetëm duke menduar për programe zhvillimi afatmesëm ose afatgjatë, të gjithë së bashku ne mund t’ia dalim kësaj situate të vështirë dhe në këtë koncept erdhi dhe Këshillimi Kombëtar.
Këshillimi Kombëtar ishte një mundësi shumë e mirë që çdo qytetar shqiptar të tregonte idetë që ai kishte për Shqipërinë e së nesërmes dhe u përgjigjën më shumë se gjysëm milioni shqiptar. Për këtë lloj shërbimi nuk u kërkua as kartë identiteti dhe kjo e dhënë ishte konfidenciale e duhet të përgjigjeshin vetëm të rriturit, ata mbi 18 vjeç. Shqiptarët dhanë mendimet e tyre dhe në përgjithësi dhanë mendime që i shërbejnë të ardhmes së afërt, tema që lidheshin kryesisht me sigurinë sociale. Ata dhanë një përgjigje pozitive për të gjitha nënat me shumë fëmijë të mitur dhe kërkuan se si të marrim masa për t’i ndihmuar ata. Shqiptarët gjithashtu dhanë një përgjigje pozitive për të ndihmuar ata që janë në moshë të tretë, kanë dalë në pension dhe ende janë punonjës në familje dhe punojnë për të rritur pagën e tyre, që të mos vazhdonin më kontributin e sigurimeve shoqërore.
Shqiptarët gjithashtu penalizuan ato biznese të mëdha, që nuk janë gati të mos japin paga abuzive për punojësit e tyre, duke hequr dorë njëherë e përgjithmonë nga fenomeni i ashtuquajtur skllavëria e shekullit të ri, sepse ndërkohë të gjithë duhet të kenë mundësi të garantojnë të ardhmen e tyre. Shqiptarët morën përsipër të kishin një angazhim tjetër dhe përsa i takon mjedisit; donin të dënonin të gjithë ata që ishin prishës të mjedisit, sepse ne e dimë shumë mirë që Atdheu ynë, i cili duhet të mbahet i pastër nuk na takon vetëm ne, por dhe brezave të ardhshëm e shqiptarët ishin të ditur dhe përsa i takon ngjarjeve që kishin të bënin me politikën ndërkombëtare. Gati 60% e të pyeturve dhe që dhanë përgjigje në Këshillim Kombëtar ishin pro Ballkanit të Hapur dhe ne të gjithë e dimë arsyen pse. Ne e shohim se të dhënat që na vijnë nga tregtia e jashtme dhe nga mundësia që ka Shqipëria për të ngritur një ekonomi të hapur, ato dëshmojnë për një rritje ekonomike dhe sa më shumë rritja ekonomike ndodh në Shqipëri, aq më shumë ajo përkthehet në buxhete familjare.
Mos të harrojmë se në këtë moment, Qeveria ka marrë disa masa për t’i ardhur në ndihmë shqiptarëve me një paketë, që është Paketa e Rezistencës Sociale. Në të përfshihen dhe pagat për punonjësit me pagë minimale, e cila është rritur për të shkuar në të njëjtën linjë mbështetjeje në një kohë kur inflacioni në Shqipëri është duke u rritur, sikurse në çdo vend tjetër të botës; sidomos në grupin e shpenzimeve që lidhet me ushqimet dhe transportin.
Por, Shqipëria mori përsipër gjithashtu që të bëjë kujdes edhe për klasat e tjera, jo vetëm ato që janë me paga minimale dhe punonjës të familjeve në nevojë, por të ketë një vëmendje dhe për ata që vijnë nga klasa e mesme, duke bërë kujdes me klasifikimin e tatimeve për pagat 40 mijë lekë të reja në muaj, 50 mijë lekë të reja në muaj dhe më shumë se kaq.
Sot ne mund të themi me plot gojën, se 56% e atyre që janë të punësuar me pagë, tatimin për pagën e kanë 0; prandaj dua të theksoj se ne bëjmë shumë kujdes që dëgjojmë raportet ndërkombëtare pasi i përthejmë në anën tjetër në aksione në kushtet reale, në të cilat ndodhet vendi e për të realizuar ato e e dimë shumë mirë që ky mandat nuk është i lehtë dhe është mandat pune.
Ndaj, kemi nevojë të dëgjojmë zërin e gjithkujt dhe zëri i gjithkujt nuk është vetëm zëri i elektoratit të majtë, por i të gjithë shqiptarëve. Mënyra se si ne mendojmë për të zgjidhur problemet nuk ka fare rëndësi për nga forca politike, por mënyra se si ne mendojmë për të çuar përpara vendin padyshim që është një mënyrë, që i takon të gjithë ayre që janë individë të kësaj Republike.
Kështu, unë besoj që me këto masa që Qeveria ka marrë e me këtë zë që kjo qeveri po i kushton qytetarëve të saj shqiptarë është një mënyrë e mirë për të përballuar krizën, e cila duhet të na bëjë edhe më të ndërgjegjshëm se në fund të kësaj situate do të kemi dalë më të fortë duke menduar që e ardhmja është këtu, duke menduar që Shqipëria ka nevojë të përdorë burimet strategjike që ka dhe të gjitha asetet e inovacionit që ajo ka filluar të zhvillojë sot.
Ju faleminderit!