Publikuar më: 21/07/2022

Fjala Parlament – 21 Korrik 2022

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Faleminderit, zonja Kryetare!

Të nderuar kolegë deputetë,

Shumë të nderuar qytetarë, Për të gjithë ne, deputetët e Kuvendit, pa dyshim që fjalët “nëna, gjyshi, mami, babi” kanë një domethënie shumë të madhe në jetën tonë të përditshme, jo vetëm se na mbështesim emocionalisht, na japin dashurinë e madhe pa kufi, që ata dinë ta japim pa kushte, por, edhe pse në këtë detyrë që kemi, pa dyshim, të gjithë mendojmë se si t’ua lehtësojmë atyre jetën në këtë moshë që janë sot.

Mirënjohja dhe dashuria që ne tregojmë në çdo rast për moshën e tretë, nuk mjafton, sepse ne e dimë se ata kanë bërë shumë për ne, e kanë dashur punën, janë përpjekur, kanë sakrifikuar veten dhe këtë gjë e kanë bërë pa u ndjerë. Ndaj, që në krye te herës ne, socialistët, kemi qenë të ndërgjegjshëm për ndryshimet demografike që po ndodhin, për popullsinë që po plaket, për moshën mesatare të shqiptarëve që po rritet dhe pa dyshim numri i grupmoshës së tretë, që është më e lartë, ka nevojë për një vëmendje të veçantë.

Ndaj, reforma e ndërmarrë në vitin 2014 për skemën e sigurimeve shoqërore shpëtoi nga kolapsi financiar dhe hoqi tavanin për pensionin maksimal, gjithashtu, jo vetëm rriti përfitimet e pensionisteve deri në 30%, por shtoi edhe numrin e kontribuuesve në skemë me 200 mije veta. Skema përfshiu për herë të parë të drejtën e pensionit social, duke lejuar edhe ata të moshuar pa histori kontributesh apo vjetërsie në pune, që sot janë mbi 70 vjeç, që kanë qenë nëna dhe gjyshër pa një mundësi financiare, të përfitojnë një pension social.

Në vitin 2021 ishin plot 2 337 individë që përfituan pension social me një fond prej 181 milionë lekësh. Gjithashtu, politika jonë e indeksimit të pensioneve ka mundësuar rritjen e pensioneve me bonus në fund të vitit, duke siguruar një rritje mesatare deri në këtë pranvere, deri në prag të luftës së Ukrainës, prej 5%. Minatorët, naftëtarët, metalurgët më në fund kanë statusin e tyre të posaçëm, që ka bërë të mundur të vlerësohet kontributi i tyre i mohuar prej 30 vjetësh me të gjitha mundimet dhe vështirësitë që ka pasur profesioni. Kjo garantohet sot me një ligj të veçantë dhe janë plot 26 mijë e 168 persona përfitues me një fond vjetor prej 1,8 miliardë lekësh.

Paketa e rezistencës sociale, që iu shpërnda pensionistëve në pranverën e këtij viti, realizoi me një fond prej 3,6 miliardë lekësh indeksimin e menjëhershëm të më shumë se 673 mijë pensionistëve. Nga kjo paketë kompensimin e shportës e përfituan të gjitha kategoritë e pensionistëve, ata që marrin pak më shumë se gjysmën e pagës minimale, si dhe invalidët që jetojnë vetëm, gjithashtu, u dha mbështetje për transportin urban. Për të gjithë pensionistët që e përdorin energjinë elektrike në shtëpitë e tyre, si dhe për çdo shqiptar tjetër, qeveria mori masa që të mbronte mbulimin e energjisë elektrike.

Sot ne po punojmë shumë fort për një akt normativ të ri, ku të akomodojmë edhe nevojën për mbështetjen më tej të kësaj klase të shoqërisë. E vërteta tjetër e madhe është se nuk ka më moskryerje pagesash të kontributeve të sigurimeve shoqërore. Ministria e Financave ndjek nga afër dhe hap pas hapi që çdo kontribut i sigurimeve shoqërore të shkojë në sistem. Ne presim që në sistemin e pensioneve, për arsye demografike, të futen në skemën e sigurimeve shoqërore rreth 38 mijë njerëz të rinj çdo vit, të cilët e marrin shërbimin online. Kjo u jep mundësinë pensionistëve të fillojnë dhe aplikojnë në kohë që të mos kenë vonesa dhe ta marrin këtë pension me më shumë lehtësi. Në platformën “Shqipëria që duam.al” kanë aplikuar më shumë se 41 mijë pensionistë, të cilëve u është mohuar e drejta e marrjes së pagesës siç duhet, por falë aplikimeve që kanë bërë, ata e kanë marrë zgjidhjen edhe për pagesën e munguar. Vëmendja jonë për këtë kategori shtohet edhe për sa i takon situatës shëndetësor.

Pjesa më e madhe e të moshuarve kalojnë edhe në kontrollin bazë të shëndetit dhe janë plot 150 mijë individë të moshës së tretë, që e marrin këtë shërbim, ku pjesa më e madhe janë gra, sepse ne e dimë që jetëgjatësia e grave është më e lartë se e burrave. Ka edhe shumë të sëmurë kronikë, të cilët kanë nevojë për barna të rimbursueshme dhe këtë ne ua ofrojmë përmes sistemit tonë shëndetësor.

Falë ndryshimeve digjitale që ka pësuar ky sistem sot, ata nuk kanë më nevojë të shkojnë te mjeku i tyre i familjes sa herë u duhet një recetën barnash e rimbursueshme, sepse vetëm nëpërmjet një SMS-je, që ju vjen në celular, ata e tërheqin atë në farmaci deri në 6 muaj. Sot janë më shumë se 100 mijë individë të moshës së tretë që marrin shërbime spitalore dhe ka kohë që për ta ne ofrojmë përfitimin e lenteve të syve falas. Që nga momenti që e kemi filluar, janë 7 mijë individë të moshës së tretë që e kanë përfituar këtë gjë.

Demografia në vendin tonë në këta 30 vjet ka qenë shumë e lëvizshme, shumë shqiptarë kanë shkuar të punojnë edhe jashtë Shqipërisë, por ne vazhdimisht jemi përpjekur që, kur të jenë në moshën e tretë, ata ta jetojnë jetën me dinjitet dhe ta marrin pensionit edhe në Shqipëri, duke lënë vendin ku kanë punuar. Deri sot ne jemi ballëlartë, sepse, duke filluar që nga viti 2016, ne kemi ratifikuar marrëveshje me plot 10 vende për paketën e shkëmbimit të pensioneve, ku përfitojnë 4 194 persona. Në gusht fillon edhe aplikimi i skemës për vendin e 11-ë, që është Kanadaja, ndërsa sot po ratifikojmë marrëveshjen me Zvicrën, që e bën vendin e 12- ë.

Ndërkohë, po punohet fort me qeverinë italiane, që ta realizojmë sa më shpejt këtë ratifikim. Kjo është një arritje shumë e madhe për ne socialistët dhe duhet të jemi krenarë për këtë. Në përpjekjen tonë për të qenë sa më afër moshës së tretë, nuk duhet të harrojmë për asnjë çast edhe atë që ka sjellë “Rilindja urbane”, e cila ka bërë të mundur që, nëpërmjet qendrave të rekreacionit, të rinjtë dhe të moshuarit të mund ta ndajnë kohë së bashku, duke demonstruar kështu edhe një ndjenjë të fortë solidariteti në të gjitha shoqëritë ku jemi bashki të rilindura.

Këtu ka ende mundësi për të bërë më shumë, sepse komunitetet mund t’u japin më shumë të moshuarve, mund t’u japin shërbimet që meritojnë. Ndaj qendrat e integruara shëndetësore të mjekësisë familjare po bëjnë të mundur që edhe komuniteti të bëhet pjesë e shërbimeve, për të cilat ka nevojë mosha e tretë. Ne po punojmë që këto qendra të shtrihen në 50 bashkitë më të mëdha të vendit.

Procesi i qëllimit kombëtar, i cili nisi në janar e përfundoi në mars të këtij viti, ku morën pjesë më shumë se gjysmë milion qytetarë, u konsideruan nga ne, socialistët, si një praktikë e mirë politike, e cila kërkoi bashkimin dhe jo ndarjen për mënyrën se si duhet të punojmë në Shqipërinë e së nesërmes.

Ne kemi përgjegjësinë dhe duhet të kujdesemi më shumë se kurrë për njëri-tjetrin sot, sidomos për shtresat në nevojë dhe për moshën e tretë. Tërheqja e tyre në vendimmarrje natyrisht që i bën këto akte më normale, i bën më njerëzore dhe më të pranueshme, por, nga ana tjetër, i bën dhe më të mençura, sepse aty jepet edhe ideja që ato kanë për zhvillimin e shërbimeve.

Në fakt, ajo që rezultoi ishte se 66% e qytetarëve e mbështetën nismën e diferencimit, duke mos paguar kontributet shoqërore të atyre njerëzve që e kanë fituar statusin e pensionistit dhe vazhdojnë të punojnë. Siç punuam më tej për ratifikimin e marrëveshjeve me vendet europiane, ku sot kanë rezidencë shqiptarët, personat që lëviznin nga një vend në tjetrin dhe personat familjarë në varësi të tyre mund të fitojnë të drejtat në shtetin amë, pra në Shqipëri, dhe do të punojmë fort që edhe statusin e pensionistit, që vazhdon të punojë, ta shikojmë të diferencuar dhe ta çojmë para këtë nismë që lindi nga këshillimi kombëtar. Natyrisht, vëmendja jonë për moshën e tretë do të vazhdojë të rritet edhe në ditët në vijim.

Faleminderit