Publikuar më: 21/04/2022
Fjala Parlament – 21 Prill 2022
E nderuar Drejtuese e seancës,
Të nderuar kolegë deputetë,
Shumë të nderuar qytetarë,
Po kalojmë nga një krizë te tjetra, të gjithë ekonomistët në botë kanë filluar të mendojnë se çfarë mund të sjellin si risi në këto kushte të reja ekonomike. Dhe padyshim po përpiqen të rikonfigurojnë zinxhirin e vlerave, kështu që të gjithë po tentojnë të sjellin drejt vendeve të tyre ose në afërsi të caktuar gjeografike, të shtojnë produktivitetin ndërmarrje që mund t’i shërbejnë më mirë të gjithë konsumatorëve. Mirëpo, në këtë rrugëtim që po ndodh padyshim që ndërmarrjet e vogla, mikro dhe të mesme kanë një rol të padiskutueshëm sepse ato janë motorri i zhvillimit të ekonomisë jo vetëm në Shqipëri por edhe në rajon e më tepër, në të gjithë Europën ku ne kemi hapje të ekonomisë me importe dhe eksporte. Në të gjithë revolucionin e rikonfigurimit të zinxhirit të shkëmbimeve tregtare merr një rol të rëndësishëm edhe digjitalizimi kështu që edhe pjesa e e-commerce, shërbimeve elektronike, puna e paperless nëpër dogana padyshim janë të lidhura ngushtë me ndërmarrjet e vogla, mikro dhe të mesme të cilat në vendin tonë punësojnë rreth 81% të Forcës së Punës dhe japin një kontribut shumë të lartë në GDP-në që prodhon ekonomia shqiptare.
Në fakt nuk kemi menduar vetëm për zhvillimin e sektorit të ndërmarrjeve të vogla, mikro dhe të mesme pa parë dhe se çfarë kemi bërë në të kaluarën.
Natyrisht që në të kaluarën kemi patur një fond mbështetje-je për to, por mënyra se si ka funksionuar fondi nuk bënte një gërshetim të tillë të kërkuar edhe nga kjo nevojë e internacionalizimit të ndërmarrjeve mikro, të mesme dhe të vogla prandaj internacionalizimi që vjen si kërkesë edhe nga Programi i Reformave ekonomike kërkon që ne ta mendojmë me shumë kujdes, ndaj edhe në ligj bëjmë të njëjtën gjë: mendojmë me shumë kujdes se si mund t’i ndihmojmë këto ndërmarrje për të kaluar në një fazë të re dhe të jenë të afta të komunikojnë me ekonomitë e hapura të vendeve të rajonit dhe atyre europiane. Duke kryer këtë proces ne padyshim që mendojmë, se lufta në Ukrainë ka dhënë një goditje jo të vogël për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme por ndërkohë ne morëm në konsideratë edhe Paketën e Mbështetjes, Rezistencës Sociale e në këtë paketë falë ndërhyrjeve tona ne u kemi dhënë atyre mundësinë që ta kishin tvsh-në dhe tatim fitimin 0, në një kohë kur në vendet e rajonit kjo situatë nuk paraqitet kështu.
Natyrisht, ne i kemi ndihmuar dhe me ekzistencën e një page minimale, që është duke u rritur dhe aty ne dimë që në ndërmarrjet e vogla, mikro dhe të mesme kemi dhe punonjës ndihmës ose punonjës në familje, të cilët janë duke përjetuar rritje page që shkon deri në 400 mijë lekë të vjetra më 1 Korrik të këtij viti. Ka filluar rritja që më 1 Prill, në muajin ushtrimor të këtij viti dhe gjithashtu ne kemi ndihmuar dhe me procedura shumë të thjeshtuara të shërbimeve të tatimeve, që u japim atyre nëpërmjet gjithë procedurave tatimore, që kemi hartuar për këtë qëllim. Ky është një nga drejtimet kryesore të vëmendjes.
Vëmendja tjetër i shkon start-upeve, të cilët kanë të bëjnë me idetë novatore, që duhet të mbështeten jo vetëm për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme por edhe për çdo ide tjetër që mund të vijë në shërbim të produktivitetit në ekonominë e vendit. Ndërkohë, duke menduar për sektorin urban të zhvillimit vëmendja e Qeverisë ka qenë dhe në sektorin rural e të gjithë ne, si ndjekës të diskutimeve të herës së kaluar, në Kuvend kaloi një projektligj i cili quhej Grupet Vendore të Veprimit dhe kishte të bënte me krijimin e atyre grupeve të fermerëve të cilët ishin gati të kontribuonin në një lloj zhvillimi të caktuar të zonës së tyre gjeografike.
Duke menduar në këto drejtime, për zonën urbane dhe për zonën rurale, për t’i dhënë hov iniciativave të sipërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme Shqipëria po kërkon të krijojë një platformë të gatshme jurdike dhe pastaj me iniciativa financiare për të ndihmuar ndërmarrjet që të shkojnë në një nivel tjetër zhvillimi.
Unë besoj fort se me këtë projektligj, ne përveç kësaj, kërkojmë që edhe Dhomat tona të Tregtisë, edhe shoqatat tona të biznesit të kenë mundësi që kur flasin me homologët e tyre në vendet e rajonit të përdorin të njëjtën gjuhë dhe të kenë mundësi të komunikojnë për të njëjtat të dhëna dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme. Por, nga ana tjetër ajo që vjen si risi në këtë ligj është fakti që deri tani informacionet për mbështetjen që i është dhënë ndërmarrjeve kanë qenë informacione aty dhe këtu, ndërkohë që kërkohet të krijohet një regjistër, ku çdo organizatë e qeverisjes vendore apo qendrore të depozitojë të dhënat që ka për mbështetjen që i ka bërë ndërmarrjeve deri më 31 Mars të vitit pasardhës dhe kjo na krijon edhe njëherë më mirë të gjithë panoramën e zhvillimit që po i bëhet ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Unë dua të përfitoj nga ky rast dhe falenderoj edhe kolegen tonë Denaj, e cila në kohën e pandemisë ka bërë një punë të jashtëzakonshme e kolosale për të ndihmuar nëpërmjet dhënies dhe lidhjes së informacionit nipt, punonjës i regjistruar dhe iban-it në bankë që të gjithë ata që ishin punonjës në ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme të merrnin pagat e luftës dhe të gjithë ne e kemi parë që përpjekja ka qenë e tillë që në fund rezultoi që u dhanë ndihmat të gjithë atyre që ishin punonjës në këto ndërmarrje falë funksionimit të sistemit dhe këmbënguljes nga Administrata e Ministrisë së Financave.
Faleminderit shumë dhe unë besoj që të gjithë do jemi gati për të miratuar këtë projektligj!