Publikuar më: 22/09/2022
Fjala Parlament – 22 Shtator 2022
Faleminderit, zonja drejtuese e seancës!
Në fakt, unë dua të ndaj me kolegët deputetë disa ngjarje, që janë shumë pozitive për administratën publike shqiptare. Javën e kaluar u zhvillua në Shkup një konferencë ministeriale, e organizuar nga OECD/SIGMA dhe ReSPA, të cilat janë dy organizata të rëndësishme, që monitorojnë të gjithë procesin e përafrimit të Shqipërisë me BE-në, sidomos me një detyrë të caktuar nga Komisioni Europian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në fakt, ngjarja e rëndësishme, që ndodhi të enjten e kaluar, ishte që një nga institucionet tona, që raporton në Kuvend që nga muaji prill deri në maj, Komisioni i Prokurimit Publik, u vlerësua me një çmim në këtë ministerial. Çmimi u dha pasi kjo agjenci ishte e njohur për zhvillimin e shpejtë që kishte marrë e-Ankesa, në një kohë kur disa vende të tjera të rajonit u vlerësuan për atë që quhej e-Bebe, dhe ne e kemi bërë me kohë bonusin e bebeve; u vlerësua edhe për atë që quhet regjistri demografik i shtetasve, pasi ne i kemi filluar shërbimet për konsullore prej kohësh.
Ndaj, dua t’ju bëj me dije se Shqipëria kishte një progres të shtuar në krahasim me vendet e tjera të rajonit, dhe jo më kot raporti i SIGMA-s, kur u botua në janar të këtij viti, e vendosi Shqipërinë ndër vendet më të rëndësishme të Ballkanit, sa i takon realizimit të reformave në administratën publike, që kryesisht lidheshin me shërbimet. Çfarë ka ndodhur te shërbimet?
Këtë e kemi dëgjuar vetë, në këtë sallë, edhe nga drejtuesi i AKEP-it, pasi, duke qenë një institucion i pavarur, raporton në Kuvend çdo vit. Ndërkohë, që të kemi shërbime të mira, na duhet të krijojmë infrastrukturën tonë të mundësisë së marrjes së shërbimeve. AKEP-i vuri në dukje që, përveç investimeve të mëdha që kemi bërë në broadband-et fikse, apo ato të internetit, sot kemi arritur të kemi rreth 2,8 milionë përdorues të internetit në Shqipëri, çka tregon se 99,86% e shqiptarëve përdorin internet, i cili është i shtrirë në më shumë se 97% të territorit. Duke i vënë përpara këto të dhëna, dua të ndalem te një e dhënë tjetër e rëndësishme, që është raporti që publikon Banka Europiane për Zhvillim dhe Rindërtim.
Meqenëse pandemia shoqëroi vitin 2020, në këtë pranverë ata publikuan një botim, që titullohej “Përditësimi i sistemeve dhe shpërndarja e dividentit digjital”, që mbulonte periudhën 2020-2021 dhe tregonte se Shqipëria kishte bërë një progres të dukshëm, duke lënë mbrapa vendet e rajonit, i cili matej mbi tri shtylla: mbi infrastrukturën, mbi aftësitë dhe mbi rregulloret.
Unë do të ndalem tek aftësitë, sepse është një gjë shumë e rëndësishme, që do të duhet ta njohim dhe ta vlerësojmë të gjithë bashkë. Aftësitë digjitale të atyre që janë mundësuesit e shërbimeve në Shqipëri, edhe në këtë raport tregohej se ishin të qëndrueshme. Në vitin 2015 ishte bërë raportimi i fundit dhe në periudhën 2020-2021 përsëritej. Aftësitë digjitale të shqiptarëve kishin ngelur rreth 60% të stafit, me një indeks shumë të lartë, duke e vendosur Shqipërinë ndër 17 vendet më të zhvilluara për këtë rajon që ishte matur.
Kjo na bën të besojmë se shërbimet digjitale që janë ofruar në Shqipëri në këtë kohë kanë pasur një qasje, që erdhi me disa hapa. Së pari, shërbimet digjitale u riinxhinieruan dhe, në qoftë se ne kemi një numër, ku themi gjithmonë më shumë se 1200, më shumë se 1212, është pikërisht sepse kjo aftësi dixhitale e stafit që punon me këtë sistem, është e aftë edhe të tregojë, edhe të listojë, edhe të japë në përdorim të shërbimeve të dedikuara dhe të emërtuara. Nga ana tjetër, shërbimet tona, nga një sistem One stop shop, kaluan në shërbime digjitale. Pra, në çdo vend ne mund të marrim shërbime. Kjo tregon se bashkë me shërbimet digjitale duhet të vihet në përdorim edhe aftësia digjitale.
Aftësia digjitale e qytetarëve nuk është një gjë që fitohet menjëherë, por është një proces i vazhdueshëm me të cilin po përballet jo vetëm Shqipëria, por e gjithë bota, që t’i bësh të gjithë shtetasit e tu të aftë për të marrë shërbime digjitale. Ajo që vihet re në përdorimin e të dhënave është se numri i atyre që janë të aftë digjitalë në Shqipëri, nga viti në vit është rritur. Kjo tregon se sistemet tona janë të thjeshta dhe ndërveprojnë me njëra-tjetrën.
Po të vëmë re të dhënat (janë lexuar disa herë të dhënat këtu, por unë kam nevojë t’ju them diçka, që sot është shumë e rëndësishme), sot kemi 55 database, që komunikojnë me njëratjetrën dhe japin për këtë periudhën që po matim, duke filluar nga janari i këtij viti, rreth 215 milionë transaksione dhe kanë bërë të mundur që të printohen rreth 21 milionë dokumente me firmë elektronike.
Kjo tregon se volumi i atyre gjërave që prodhohen elektronikisht në Shqipëri, është i konsoliduar dhe po shkon mirë. Në momentin kur duhet të zhvillojmë shërbimet tona digjitale, duhet të kemi parasysh se sulmi drejt botës digjitale është, gjithashtu, një sulm i ri. Sulmi drejt botës digjitale nuk ka të bëjë më aftësinë që ka stafi, sepse stafi ynë (konfirmohet edhe nga botimet ndërkombëtare) është i aftë të punojë me shërbimet digjitale dhe të përmirësojë sistemet tona digjitale.
E rëndësishme është të dimë që edhe në këtë moment të sulmit kibernetik, në fakt, sistemet tona qenë në punë menjëherë. Duke qenë pjesëmarrëse në këto dy konferenca, dëgjova që po të njëjtën situatë patën edhe Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, por rikuperimi nuk ishte i njëjtë me të Shqipërisë. Kështu që unë mendoj se digjitalizimi i gjithë shoqërisë sonë është një problem që nuk do të ndalet kurrë, ne do të shkojmë përpara.
Në këto kushte, duke u nisur dhe nga nevoja që kemi për të parë nga afër të gjithë paketën legjislative për mbrojtjen digjitale dhe paketën e investimeve për sigurinë kibernetike, ka ardhur momenti ta rishohim. Kjo nuk është vetëm një iniciativë shqiptare, por është një iniciativë edhe e vendeve të tjera rajonit, ngaqë po përballen me këtë sulm. Gjithashtu, dua t’ju bëj me dije se është një krenari e madhe kur arrin të shohësh që vendi fiton disa çmime mirënjohjeje për punën e mirë që ka bërë.
Ndaj edhe ne, si Kuvend, duke qenë se ky institucion, Komisioni i Prokurimit Publik, raporton në Kuvend, duhet të jemi krenarë që arritën ta ulnin në shumë përqindje numrin e kërkesave të patrajtuara, nga 34 e kanë çuar në 9, dhe dhanë përgjigje për një kohë që ato e quajtën rekord, brenda 24 orëve. Besoj se për të gjithë kolegët deputetë ky është një lajm i mirë.
Faleminderit!