Publikuar më: 23/05/2022

Fjala Parlament – 23 Maj 2022

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Faleminderit!

Zonja Kryetare,

Të nderuar kolegë,

Në fakt, pasi dëgjuam raportimin e AMAs, unë besoj se për të gjithë ne ka një moment reflektimi. Ky reflektim lidhet me faktin që ne dëgjojmë një raport për një institucion, i cili është institucion i pavarur, veprimtaria e të cilit rregullohet me një ligj, që miratohet nga ky Kuvend.

Është po ky Kuvend që miraton edhe veprimtarinë e tij vjetore për një periudhë kohore, që ne zakonisht e monitorojmë nga marsi në mars. AMA, natyrisht i përgjigjet ligjit të medieve audiovizive në Shqipëri, por bën edhe detyrën e vet ekzekutive, që të jetë e mirinformuar për të na dhënë informacionet që ne duam.

Por nuk duhet të harrojmë, në fakt, që këtë autoritet e lamë për disa kohë pa pasur mundësi të kryejë funksionet e veta, sepse, për fatin tonë të keq, një pjesë juaja, opozitës, braktisi Kuvendin dhe zgjedhja e anëtarëve të AMA-s u shty për shumë kohë. Ju sot po thoni se ne kemi një kryetare të AMA-s, e cila është e politizuar, vjen nga figurat e Partisë Socialiste.

Unë nuk besoj se ky është një lajm sot për Kuvendin, sepse zonja Krasniqi ka 12 vjet që nuk punon më në detyrën e zëdhënësit, pasi ka bërë detyra të tjera gjatë kësaj kohe. Të mos harrojmë që te bordi i AMA-s me miratimin tonë, të të gjithëve bashkë, por me propozimin e opozitës, ne kemi zgjedhur, gjithashtu, edhe një zonjë, që vjen si përfaqësuese dhe zëdhënëse Partisë Demokratike. Kështu që, në këtë moment jemi të ndërgjegjshëm se balanca politike në AMA është balancë që e kemi siguruar bashkë. Edhe në ligj këtë gjë kemi bërë, pra kemi bërë që mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të AMA-s të jetë një mënyrë e balancuar.

Pra, raportimi që bëhet në Kuvend në kushtet e ligjit dhe në kushtet e rezolutës, që ne të gjithë e miratojmë, ka nevojë për t’u ridimensionuar si një koncept diskutimi në këtë foltore. Së dyti, është shumë e rëndësishme të ndalem te një situatë tjetër, te raportimet që bëjnë çdo muaj mars “Reporterët pa kufij”, që flasin për lirinë e medies. Besoj se të gjithë e keni lexuar dhe jeni të interesuar për këtë, raporti në hyrje bën një shpjegim shumë të rëndësishëm, që lidhet me dy faktorë: faktori i parë është edhe faktori i globalizimit, pra njerëzit kanë më shumë mundësi të aksesojnë të gjitha llojet e formave të informimit medietik, dhe faktori i dytë ka të bëjë me dezinformimin në përgjithësi, i cili vjen si rezultat i parregullimit të medieve online.

Ky është, gjithashtu, një nga komentet që progresraporti për Shqipërinë ka nënvizuar: “Ne nuk kemi ende rregullim të medieve online”. Këtë gjë ka theksuar edhe zoti Soreka kur ka bërë prezantimin e raportit “Rregullimi i medieve online”. Në fakt, ajo që ndodh sipas “Reporterët pa kufij” është që në një moment që ne kemi dezinformim të publikut amplifikohet nga mediat sociale në mënyrë eksponenciale dhe informimi i publikut bëhet i vështirë.

Këtë vit raporti u bazua në një metodologji të re dhe ka shumë faktorë që e matin lirinë e medies, por më të rëndësishëm janë ato që kanë të bëjnë me rregullimin dhe me bazën ligjore. Ne duhet të jemi të gjithë të përgatitur dhe të motivuar që rregullimet medietike t’i ndjekim si proces të punës sonë të përditshme. Nga ana tjetër, unë nuk besoj se ne në Shqipëri kemi një situatë të vështirë për medien, sepse shumë shpesh në diskutimet që janë bërë për medien ka pasur elemente që lidhen me lirinë për pagën, sigurime, lirinë për të ushtruar profesionin dhe, në fakt, kërkohet një angazhim nga shoqatat e gazetarëve për të kërkuar këtë liri të munguar sipas tyre.

Megjithatë, unë besoj se koha kur selitë e gazetave digjeshin, koha kur gazetarët plagoseshin teksa raportonin në terren, (raste të dëgjuara dhe të para), koha kur televizioneve u viheshin shirita për mospagimin e tatimeve, koha kur u bllokoheshin llogaritë bankare ka mbaruar.

Të gjitha këto duken sikur kanë ndodhur në një periudhë të largët, sepse ndërkohë gazetarët kanë të drejtën të informojnë, të shkojnë në terren dhe sot, edhe në raportin e “Reporterëve pa kufi”, kemi zero gazetarë të burgosur, zero raste dhune me vdekje në Shqipëri.

Unë besoj se kjo kohë ka mbaruar dhe ne të gjithë bashkë do të bëjmë më të mirën që AMA të funksionojë në raport me ligjin.