Publikuar më: 24/03/2022

Fjala Parlament – 24 Mars 2022

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Faleminderit, zonja drejtuese e seancës!

Të nderuar kolegë deputetë,

Në fakt, me të gjitha këto diskutime që bëmë deri tani ne ramë dakord që statistikat zyrtare janë një e mirë publike dhe për t’i prodhuar ato futen në lojë shumë institucione shtetërore dhe qeveritare. Ato i shërbejnë edhe punës për të bërë një politikëbërje më të mirë, sepse të dhënat që prodhohen prej këtij produkti përpunohen dhe ndihmojnë në parashikimet e ardhshme.

Nga ana tjetër, INSTAT-i është në qendër të këtij sistemi dhe koordinon të gjitha veprimtaritë që kanë të bëjnë me prodhimin e statistikave zyrtare dhe këtë punë ai e organizon nëpërmjet programit statistikor të statistikave zyrtare, i cili hartohet një herë në 5 vjet.

Në vitin 2018 ne e kaluam INSTAT-in në varësi të parlamentit për t’i dhënë atij një pavarësi më të plotë dhe për ta bërë të aftë të japë të dhëna në kohë reale, të ngelet i paanshëm dhe të dëgjojë të gjitha grupet e përdoruesve. Jo se nuk e bënte më parë, por për ta bërë këtë gjë edhe më të ligjëruar, në kornizën ligjore që miratuam.

Gjithashtu, në kornizën ligjore i dhamë atij mundësi edhe për të ngritur burime financimi të ndryshme dhe një nga burimet e financimit ishte pikërisht fakti që INSTAT-i duhet të punonte edhe me shërbime të komisionuara, që vinin nga palët e treta. Këto palë të treta mund të jenë edhe ente shtetërore, siç mund të jetë Këshilli i Ministrave; mund të jetë edhe Banka e Shqipërisë, që nëpërmjet INSTAT-it bën dy vrojtime të rëndësishme, besimi i konsumatorëve dhe besimi i bizneseve; mund të jenë edhe organizata ndërkombëtare, siç është UNICEF-i, kur do të marrë të dhëna për situatën e fëmijëve në vendin tonë; mund të jenë edhe shumë biznese, që kanë nevojë për të njohur qoftë edhe numrin e këmbës për ato familje që jetojnë në një territor të caktuar, sepse ai biznes ka nevojë të sjellë këpucë nga një vend europian. Deri në këto shërbime shkon INSTAT-i.

Megjithatë, është një fakt që duhet ta themi. Në vitin 2021, kur Bashkimi Europian nxori progresraportin, në kapitullin XVIII shkruante: “Shqipëria është mesatarisht e përgatitur për statistika. Njëfarë progresi është arritur, veçanërisht në përafrimin me standardet e ESA 2010”. ESA është sistemi i llogarive kombëtare, sistemi më i rëndësishëm që kanë statistikat zyrtare. Kur themi që kemi përafrim, tregon se çdo punë e vogël që bën INSTAT-i për të nxjerrë të dhëna, ka ecur në rrugën e duhur.

“Roli i sistemit kombëtar të statistikave të Shqipërisë u forcua dhe burimet u përmirësuan”, thotë Bashkimi Europian. “Lidhur me infrastrukturën statistikore, ligji “Për statistikat zyrtare” është në fuqi edhe në përputhje me Kodin e Praktikave të Statistikave Evropiane dhe shumica e klasifikimeve janë në përputhje me standardet e BE -së. INSTAT-i është në zbatim të ligjit “Për statistikat zyrtare” dhe duhet të vazhdojë përmirësimi dhe forcimi i rolit të tij si koordinues i sistemit kombëtar statistikor”.

Në këtë kontekst vjen ky program statistikor që ne po miratojmë sot, i cili është i dyti në vazhdën e tij, duke zëvendësuar atë që u miratua në vitin 2017 deri në vitin 2021. Ky program kombëtar i statistikave, që vjen në periudhën 2022-2026, ka parasysh që ndërtohet mbi bazën e gjitha strategjive të zhvillimit që marrin edhe vendet e tjera europiane për sa i takon programit statistikor kombëtar të tyre.

Në fakt, kur INSTAT-i e hartoi këtë program, u mbështet shumë edhe në eksperiencat e grumbulluara gjatë këtyre 30 vjetëve në praktikat më të mira që kishte BE-ja, dhe u përpoq shumë që t’i jepte një përgjigje atij që quhet Compendiumi 19 i EUROSTAT-it, që është pjesë e acqui-së. Domethënë, ajo që duhet të kemi parasysh është që ky program është shumë afër përputhshmërisë me acqui-në dhe me atë detyrim që kemi ne ndaj Bashkimit Europian. Kur bëri programin, INSTAT-i jo vetëm që vuri objektivat e zhvillimit, por vuri edhe disa indikatorë të performancës, që janë shumë të rëndësishëm për t’u përmendur sot.

Për shembull, INSTAT-i thotë se, nëpërmjet këtij programi që po sjell, ku në qendër ka zhvillimin e statistikave zyrtare dhe forcimin e rolit të vet si koordinues i sistemit, të ketë mundësi që data point, të dhënat e shfaqura në database-n statistikor të INSTAT-it për Shqipërinë, nga 2 989 437 të shkojnë në 3 100 000 me një rritje afro 3,7% . Pra, kërkon që Shqipëria të bëhet më e njohur me statistika në tregun Europian, kjo vjen vetëm kur ne shtojmë sasinë dhe cilësinë e të dhënave.

Gjithashtu, edhe datapoint, që ne kemi në INSTAT (besoj që të gjithë ne e aksesojmë faqen e INSTAT-it për të marrë të dhëna) kërkon që të rritet me 15,7% në harkun kohor të këtyre 5 vjetëve.

Numri i vizitave në faqen e internetit të INSTAT-it nga 3285976 në 5292095, me rritje 61%, edhe numrin e takimeve me përdoruesit kërkon ta rrisë nga 2 në 5 për çdo vit. Ndërkohë, INSTAT-in e kemi vendosur edhe në krye të hartimit të atij që quhet dashboard, një ekran informimi, për ato që janë objektiva të zhvillimit të qëndrueshëm.

Në qoftë se Shqipëria deri tani, me ndihmën e agjencive të UN-së, ka arritur të prodhojë 56 indikatorë të objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm, me këtë program synon të shkojë në 62 indikatorë dhe pa dyshim që kjo e bën Shqipërinë edhe një aktor me zë në fushën e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm.

Për ju, kolegë deputetë, dua të sjell në vëmendje dy gjëra që na ndodhin në punën e përditshme. Kur në komisionet parlamentare ne mbarojmë veprimtarinë tonë të diskutimit të një ligji, relacionet e kanë për detyrë nga Rregullorja të kenë dy paragrafë shumë të rëndësishëm.

E para, sa është përputhshmëria e këtij ligji në raport me compendiumin europian, dhe, e dyta, cilin objektiv të zhvillimit të mileniumit synon të përmirësojë ky projektligj. Pra, nëpërmjet këtij programi statistikor INSTAT-i synon t’i arrijë të gjitha këto.

Megjithatë, një gjë është shumë e rëndësishme, arritja nuk bëhet nëse INSTAT-i nuk numëron të gjitha ato aktivitete që kanë të bëjnë me disa fusha të rëndësishme, si, për shembull, aktivitetet që kanë të bëjnë me përmirësimin e metodologjisë, që në harkun kohor të këtyre viteve do të rriten me 21 të tilla, apo ato që kanë të bëjnë me metodat e mbledhjes së të dhënave, që rriten me 7 aktivitete, apo ato që kanë të bëjnë me përmirësimin e transmetimit të të dhënave në Eurostat, që përmirësohen për 61 aktivitete.

Në fakt, kur flasim për statistika, duke u nisur edhe nga fakti se statistika është “shkenca e shtetit” e ndihmon qeverinë që të bëjë politikëbërje më të mirë, duhet të kemi parasysh që edhe në atë që ka thënë SIDA, Agjencia e Zhvillimit Suedez, që e mbështet INSTAT-in, “Shqipëria ka një sistem statistikor të qëndrueshëm, të aftë të zgjerojë fushën e vet veprimit, duke i njohur këtij sistemi prerekuizitet për procesin e integrimit në BE”, në këtë kuadër vëmë re që janë 4 fusha: a) Statistikat e popullsisë, që kanë të bëjnë me regjistrimet, regjistrat dhe të dhënat administrative, që janë përmirësuar; b) statistikat e konkluzioneve dhe të kampionimit, që kanë të bëjnë me vrojtimet dhe sondazhet që kryen INSTAT-i; c) sisteme stokastike komplekse, që kanë të bëjnë me modelimin, parashikimin, analiza e sistemeve të të dhënave multivariante; d) ndryshueshmëria dhe pasiguria (vlerësimi dhe menaxhimi i rrezikut).

Të gjithë kemi qenë prezentë, se nga tërmeti dhe nga pandemia u cenuan shumë sisteme, u cenuan edhe më shumë sesa ato që ne arritëm të shikonim realisht, t’i preknim në territor, u cenua edhe sistemi kombëtar i mbledhjes së të dhënave. Ishte pikërisht INSTAT-i që, duke përdorur sistemet stokastike, arriti të bënte një parashikim të situatës për tërmetin dhe një parashikim të situatës për pandeminë. Mos harroni që të dhënat që grumbulloi INSTAT-i u përdorën si nga FMN-ja dhe nga Banka Botërore për të adresuar edhe programet e zhvillimit, edhe programet e ndihmës për Shqipërinë.

Unë besoj se ky program statistikor, që ne do të miratojmë sot, i mbështetur në ligjin që ne kemi miratuar në vitin 2018, që i njeh të drejtën INSTAT-it të përdorë parimet bazë të statistikës, i njeh të drejtën të përdorë edhe burimet e të dhënave, por i njeh të drejtën edhe të shtojë financat e veta jo vetëm nga buxheti i shtetit, por edhe duke qenë i komisionuar për shërbime, synon ta forcojë sistemin statistikor në vendin tonë. Besoj që të gjithë jemi të gatshëm ta miratojmë këtë projektligj, sepse na shërben edhe ne për të realizuar më mirë detyrat tona.

Unë jam e bindur që të gjithë ne kur përgatisim fjalimet për në Kuvend, hedhim sytë nga të dhënat. Sot u diskutua për inflacionin, për nivelin e varfërisë dhe duhet t’i besojmë institucionit të pavarur, se vetëm kështu mund të kemi një opinion të paanshëm lidhur me ngjarjet që ndodhin në territor, qoftë kombëtar, por qoftë dhe rajonal.

Duhet të besojmë se profesionalizmi në këtë fushë nuk është një gjë që vjen lehtësisht, duhet që të angazhohemi me besim te njerëzit që punojnë në këtë institucion, gjithashtu duhet të pranojmë se burimet e INSTAT-it për punët e komisionuara janë shumë të rëndësishme.

Dua të sjell në vëmendjen tuaj diçka tjetër: edhe VKM-ja që u përmend këtu i jep mundësi INSTAT-it të ketë burime financimi për ata që janë operatorë dhe kontrollorë të procesit që ai po kryhen në hapësirat e veta të punës.

Faleminderit dhe ju ftoj ta miratojmë këtë projektligj!