Publikuar më: 24/02/2022

Fjala Parlament – 24 Shkurt 2022

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

E nderuar Kryetare,

Të nderuar kolegë deputetë,

Fillimisht, dua të bashkohem edhe unë me të gjitha qëndrimet që mbajtën kolegët këtu në sallë, të cilët dënuan ashpër sulmin e Rusisë kundër Ukrainës. Ne të gjithë e respektojmë Ukrainën si një vend sovran. Pa dyshim që ky vit edhe në politikën e jashtme të Shqipërisë është një vit që duhet shënuar, Shqipëria është ulur në Këshillin e Sigurimit, ndërkohë është bashkëpenëmbajtëse me SHBA-të për të bërë rezoluta dhe për të hartuar qëndrime të ndryshme.

Duke pasur këtë përgjegjësi mbi shpatulla si bashkëpenëmbajtëse në Këshillin e Sigurimit në SHBA, unë mendoj se edhe reagimet, që duhet të ketë vendi ynë, duhet të jenë reagime të rakorduara me të gjitha vendet e tjera të BE-së, me aleatët tanë të NATO-s, si dhe me SHBA. Prandaj, bashkohem me idenë që ne jemi pranë popullit ukrainas në këto ditë të vështira për familjet ukrainase dhe e dënojmë ashpër këtë sulm.

Së dyti, do të kaloja te një çështje, që e diskutoi edhe kolegu Peleshi, lidhur me aderimin që bën Shqipëria në një nga konventat e rëndësishme, që është ajo në Organizatën Hidrografike Ndërkombëtare. Aderimi i Shqipërisë në këtë organizatë është një moment i rëndësishëm për ekonominë e vendit, sepse kjo organizatë është një organizatë botërore e krijuar që në vitin 1921 dhe njihet për ekspertizën që ka në fushën ndërkombëtare të detit dhe të hartografisë detare, për të cilën Shqipëria ka shumë nevojë. Ne paguajmë për këtë aderim një kuotë anëtarësimi, që është 8000 euro në vit dhe është e lidhur me kapacitetin e anijeve të flotës tregtare dhe detare, që është më i vogël se 100 mijë tonë dhe parashikohet të mos e kalojë këtë kufi, edhe nëse do të rritet shumë brenda 2 vjetëve të ardhshëm, si përgjigje e zhvillimeve ekonomike e tregtare.

Aderimi në këtë konvente vjen në një moment kur vendi ynë po përpiqet shumë fort të rrisë ekonominë kombëtare, duke e konsideruar detin dhe ekonominë që vjen prej tij si një burim i qëndrueshëm të ardhurash. Gjithashtu, kjo konventë, për të cilën kërkoj edhe miratimin tuaj, kolegë, do të ndihmojë edhe turizmin shqiptar.

Unë besoj fort që turizmi shqiptar nuk ka nevojë vetëm për këtë mbështetje, truizmi shqiptar ka nevojë edhe për më shumë. Në fund të marsit të vitit 2021, si deputete e qarkut të Durrësit, bëra një vizitë tek “Eko park” në Spitallë, i cili ishte ende në ndërtim. Ishte shumë mbresëlënëse vizita që bëra atje, bashkë me deputetë të tjerë të zonës, sepse transformimi, që po kalonte zona, ishte i paimagjinueshëm, nga kodra me plehra dhe me mbeturina të ndryshme, me erë të keqe që shëmtonte qytetin, ai “Eko park” po kthehej në një vend, ku kishte shumë fusha për të luajtur fëmijët dhe të rinjtë, kishte shumë vende për të kaluar disa orë argëtimi familjet durrsake, por jo vetëm, kishte shumë pemë të mbjella.

Përveç të tjerave, ai “Eko park” në atë moment të vështirë të qytetit të Durrësit shërbeu edhe si venddepozitimi për mbeturinat që erdhën nga inertet e ndërtimit, duke ndihmuar transformimin. Durrësi kaloi një verë të vështirë në vitin 2021 për sa i takon menaxhimit të mbetjeve, por falë bashkëpunimit institucional në nivel lokal dhe qendror, studimeve të bëra nga profesionistë të fushës, mbështetur në planin strategjik për menaxhimin e mbetjeve deri në 2035, zgjidhja që mori situata u bë e qëndrueshme edhe për këtë sezon turistik.

Vizioni ynë është shumë i qartë dhe ne jemi të bindur se Shqipëri ka nevojë për një zhvillim të qëndrueshëm në menaxhimin e integruar të mbetjeve, duke përdorur burimet natyrore me eficiencë dhe për të pasur një Shqipëri të pastër.

Jo shumë larg në kohë, po të kujtojmë vitin 2013, situata e menaxhimit të mbetjeve ka qenë vazhdimisht emergjente; Shqipëria ishte kthyer në një gangrenë mjedisore, vetëm 50% e popullsisë dhe territorit mbulohej me shërbimin e mbledhjes së plehrave, ndërsa gjysma tjetër e popullsisë dhe territorit nuk merrte shërbim. Kishim vetëm dy impiante të trajtimit të mbetjeve, ai i Bushatit, me standarde dhe ai Sharrës që po degradonte, të cilat nuk arrinin të menaxhonin sasinë e mbetjeve që prodhonte Shqipëria.

Kjo situatë, për një qeveri të përgjegjshme, siç është qeveria socialiste, kupton jo vetëm nevojën e brendshme të transformimit të gjendjes së menaxhimit të mbetjeve, e cila përbënte një kërcënimin serioz për jetën e njerëzve, po kërkonte që imazhi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare të ndryshonte, të bëhej si një vend që i kushton rëndësi mirëqenies së njerëzve, edhe atyre që vijnë nga jashtë. Prandaj, përpunimi i mbetjeve dhe prodhimi i energjisë nëpërmjet incenerimit u konsiderua si një zgjidhje e mirë dhe e rëndësishme. Si rrjedhojë, sot 88% e popullatës mbulohet me shërbimin e mbledhjes së mbetjeve, falë pikërisht këtyre investimeve që kemi bërë tek inceneratorët.

Të gjithë e kemi ndjekur me shumë vëmendje punën e komisionit hetimor gjatë këtyre ditëve. Të dyja palët të deputetëve nga të dy krahët meritojnë t’u njihet puna e madhe që bënë, për orët e gjatë të dëgjimit, por sidomos ata të opozitës dhanë një mundësi të qartë dhe të mirë që të qartësohej një herë e përgjithmonë kjo situatë. Është shumë e rëndësishme të besojmë se mekanizmat e shtetit u vunë në dispozicion, ku pamë të dëshmonin persona teknikë e politikë, nga nivelet më të ndryshme të administratës publike, të cilët iu përgjigjën të gjitha pyetjeve të kolegëve dhe treguan se si funksion vërtet legjislacioni në vendin tonë, ku me fakte e me shkresa vërtetuan përfundimin e dytë shumë të rëndësishëm: e gjitha kjo ishte një tymnajë e realizuar mbi një skandal shifre të paqenë, 430 milionë euro, e cila nuk është paguar nga buxheti i shtetit, por janë deduksione nga analiza e bërë nga vetë anëtarët e opozitës së këtij komisioni.

Edhe dje rezultoi se në të vërtetë këto janë paratë e projektuara që do të paguhen për ofrimin e shërbimit të mbledhjes dhe përpunimit të mbetjeve për qytetarët shqiptarë deri në vitin 2047. Deri tani nga buxheti i shtetit janë paguar vetëm 30,6 milionë euro, që u takojnë dy inceneratorëve të ndërtuar dhe të vizituar nga komisioni hetimor i ngritur për këtë qëllim, ndërsa pjesa tjetër, 36,9 milionë euro janë paguar për shërbimin e mbledhjes dhe përpunimit të mbetjeve për Tiranën, si tarifë shërbimi. Investimet kanë shkuar atje, inceneratorët janë atje. Faktet e dokumentuara treguan se menaxhimi i mbetjeve sot në Tiranë kushton pak më lirë ose 30% më lirë sesa e kishte vendosur ish-kryebashkiaku i Tiranës në vitin 2013.

Ndërsa sot, me çmimin 29 euro për ton, nga 37, që ishte parashikuar në vitin 2013, realizuam një Tiranë më të pastër, e cila grumbullon dhe përpunon mbetjet 3 herë në ditë. Pa paguar asnjë qindarkë më shumë sesa ajo që ishte parashikuar për banorët e Tiranës, ne arritëm sot të kemi një Tiranë më të pastër, të vëmë në funksionim inceneratorët dhe të pastrojmë, sidomos dy zona shumë të rëndësishme për jetën e qytetarëve dhe për imazhin e Shqipërisë: Sharrën dhe PortoRomanon.

Përfundimi tjetër që u arrit kishte të bënte me faktin që u aludua : “Shteti nuk ka funksionuar; kjo është një aferë korruptive”. Shteti vepron me letra, bazuar në ligje. Puna e bërë nga e gjithë administrata e shtetit ka qenë rigoroze dhe profesionale. Lidhja midis mbledhjeve dhe vendimeve në të gjithë zinxhirin e procedurave që janë kryer, kanë vënë nën akuzë një ish-ministër. E gjithë beteja jonë për reformimin e drejtësisë është një betejë që nuk do të ndalet dhe pa dyshim për të gjithë ata, që kanë marrë pjesë në këto projekte dhe punë të mira, të menduara dhe të zbatuara nga qeveria, duhet të ketë një vlerësim. Por në të gjitha rastet kur individë, qofshin këta teknikë të lartë, qofshin teknikë të ulët, politikanë, veprojnë në kurriz të vendimeve dhe punëve të mira që bën qeveria, do të duhet të përballen me drejtësinë dhe përballjen me drejtësinë duhet ta kenë një përballje vetjake.

Në zbatim të ligjit 125/2013 “Për koncensionet dhe PPP-të”, në Shqipëri kemi dy impiante dhe një i tretë që pritet të ndërtohet. Këta u shërbejnë gjithnjë e më tepër banorëve dhe komuniteteve. Unë besoj fort se me vepra të tilla të mira për ekonominë e turizmin në vend, ne jo vetëm pastrojnë Shqipërinë, jo vetëm edukojnë të gjithë popullatën, por i bëjmë një shërbim shumë të madh mjedisit, për ta lënë Shqipërinë të pastër.

Faleminderit! Punë të mbarë