Publikuar më: 30/06/2022

Fjala Parlament – 30 Qershor 2022

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Faleminderit, zonja drejtuese e seancës!

Në fakt, duke menduar se kjo është një orë ekonomie, që duhet të vendoset në shinat e caktuara, ku ne diskutojmë zakonisht, unë doja të thosha një gjë të rëndësishme për ta kuptuar të gjithë ne, kolegët e parlamentit. Sot në orën 10:00 INSTAT-i ka publikuar të dhënat e GDP-së për prodhimin e brendshëm bruto 3-mujor.

Në fakt, meqenëse jemi duke e monitoruar ekonominë të gjithë me sy të përqendruar për të parë se çfarë po ndodh me sektorët dhe si ka reaguar ndërhyja që ka bërë qeveria, besoj se të gjithë mezi e kemi pritur. Është një fakt i rëndësishëm se rritja ekonomike në Shqipëri në 3-mujorin e parë ishte 5,7%, e cila është një rritje e një niveli të lartë dhe është e krahasueshme me vendet e BE-së, ku mesatarja është 5,6%.

Ndërkohë, edhe në rajon kjo 5,6% është edhe rritja më e lartë. Duke parë këtë shifër, ndërkohë që këtu kemi dëgjuar edhe raportet e institucioneve të pavarura, të INSTAT-it, të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, të Bankës së Shqipërisë, si dhe duke parë ecurinë e ekonomisë deri në vitin 2021, në fund të 3-mujorit të katërt ne kemi vënë re që gjërat kanë qenë të vështira, por ekonomia jonë ka rezistuar.

Po të shihni raportin e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, ka një shifër që tregon edhe për një rezistencë tjetër: numri i individëve, që kanë depozita të nivelit të sigurimit, pra 2 milionë e 500 mijë lekë të rinj, në fund të vitit 2021 ishte rritur me 9%, krahasuar me fundin e vitit 2020 dhe numri i depozituesve kishte shkuar më shumë se 2 milionë e 611 individë.

Në fakt, vlera ishte rritur me 20% dhe vlera e depozitave të siguruara kishte shkuar në 1,2 trilionë lekë. Kjo tregon se masat që janë marrë, si dhe rritja ekonomike u ka sjellë një të mirë familjeve shqiptare. Kur ne hapëm paketën e ndihmës ekonomike, INSTAT-i na ndihmoi me ndarjen e buxheteve të familjeve sipas shpenzimeve që ata bëjnë për kuantile, domethënë për grupe me nga 20%, dhe këtë gjë na e mundësoi për të vënë në dukje se paketa e rezistencës është e rëndësishme për pensionistët dhe për ata me pagë më të ulët, të cilën ne vendosëm ta çojmë në 40 mijë lekë të rinj në muaj, duke filluar nga 1 prilli u bë 320.

Në fakt, nga të dhënat e INSTAT-it vihet re se ky grup i familjeve e ka ndjerë më shumë inflacionin. Paketa e rezistencës, që ne kemi dhënë si kontribut për këtë grup familjesh, ka treguar se ia kanë dalë të ballafaqojnë veten e tyre ekonomikisht me rritjen e inflacionit. Rritja e çmimeve në këtë grup të familjeve është 5, 17% për ushqime, në një kohë kur inflacioni në total është 7,2.

Dua t’ju jap disa shifra shumë të rëndësishme për të kuptuar se paketat që injektuam në ekonomi ishin sinjifikative. Ne injektuam paketa në ekonomi dhe menduam për të gjithë sektorët, jo vetëm për rezistencën e familjeve, por edhe që zhvillimi ekonomik të jetë i qëndrueshëm. Në mënyrë që zhvillimi ekonomik të bëhet i qëndrueshëm, duhet që veprat publike të marra përsipër të mbështeten në një kohë kur çmimet globale në tregjet globale po pësojnë një rritje që është jashtë nesh.

Për këto arsye vijmë sot me këtë akt normativ, për t’i çuar përpara këto vepra publike, duke u mundësuar punonjësve në këtë industri të vazhdojnë të marrin pagat e tyre. Ndërkohë, të mos harrojmë për asnjë çast dhe duhet ta përsërisim përherë se logjika e ballafaqimit të krizës që ka ndërtuar qeveria shqiptare lidhet me tërmetin, me pandeminë COVID dhe me krizën e Ukrainës.

Ne e kemi kuptuar se të punosh me shpejtësi dhe të ndihmosh gjithmonë grupet në nevojë është një nga detyrat që ka qeverisja e mirë dhe këtë gjë po e bëjmë pafund. Ajo që kemi bërë me shumë kujdes është çmimi i energjisë.

A ju kujtohet se kur asnjë vend ende nuk e diskutonte rritjen e çmimit të energjisë, Kryeministri doli në konferencë për shtyp dhe deklaroi se në Shqipëri çmimi i energjisë për Kuvendi i Shqipërisë familjet dhe biznesin vogël nuk do të rritet? Në fakt, e kemi bërë realitet këtë gjë, çmimi nuk është rritur, vazhdon të jetë i njëjtë që nga muaji nëntor për biznesin dhe familjet shqiptare.

Pra, të gjitha paketat që kemi marrë përsipër t’i injektojmë në ekonomi, i kemi çuar përpara. Nuk është rastësi që sot vijmë me këtë rritje ekonomike, me shifra që i ka vlerësuar më parë Banka Botërore dhe me shifra që i tregon matja që bën INSTAT-i. Unë besoj se të gjitha mendimet që vijnë nga grupi i ekonomistëve në qeveri, që shikojnë se si mund të influencohen për të përmirësuar jetën e të gjitha grupeve të profesionistëve dhe grupit të prodhuesve, tregojnë sukses.

Unë besoj se një shifër tjetër e rëndësishme për ne duhet të jetë edhe botimi që bëri Banka e Shqipërisë pak javë më parë për besimin e bizneseve dhe të konsumatorëve. Besimi i bizneseve dhe i konsumatorit, që vinte në përqindje më të lartë se 3 muaj më parë tregoi edhe një herë se paketat e rezistencës, si të familjeve dhe të mbështetjes së bizneseve ishin të kuptimta dhe kishin dhënë menjëherë impaktin e tyre.

Ne duhet ta shikojmë në mënyrë holistike të gjithë situatën ekonomike të vendit, që të krijojmë një perceptim të drejtë për të. Po ashtu, duhet të kemi vazhdimisht në qendër të vëmendjes grupet në nevojë. Ndarja në kuantile që bën INSTAT-i dhe planifikimi i ndihmës në bazë të tyre është një kusht shumë i rëndësishëm, që kjo qeveri e ka pasur në konsideratë.

Faleminderit!