Publikuar më: 06/10/2022
Fjala Parlament – 6 Tetor 2022
Faleminderit, zonja Kryetare!
Unë doja të shtoja disa gjëra. Si të gjitha zonjat dhe zotërinjtë këtu në Kuvend, edhe unë kam vënë një fjongo sot. Para se të fillonte seanca e sotme parlamentare, me iniciativën e Aleancës së Grave Deputete, ku bëjnë pjesë zonja nga të gjitha palët politike, ne zhvilluam një mbledhje, ku, me mirësinë e madhe të stafit që shërben për deputetët, u shpërndanë fjongo për të gjithë ne.
Pra, gjëja e parë për të cilën dua t’ju vë në dijeni është që vëmendja e Kuvendit për çështjen e kancerit të gjirit ka qenë e ngritur. Çështja e dytë që dua të sjell këtu në Kuvend është aktiviteti që u zhvillua dje në sheshin “Skënderbej”, ku përveç zonjave deputete dhe ministre, punonjësve të shëndetësisë dhe zonjave që kanë përjetuar sëmundjen e kancerit të gjirit, merrnin pjesë edhe shumë zonja përfaqësuese të trupit diplomatik, si përfaqësuesja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e Kombeve të Bashkuara, ambasadorja amerikane, të cilat dhanë mesazhin për të bërë depistimin e hershëm të kancerit të gjirit.
Ishte fat që mes nesh ishte edhe profesorëshë Silva Çeliku, mjeke dhe shefe e Pavijonit të Onkologjisë në spitalin Universitar “Nënë Tereza”, e cila vuri në dukje disa gjëra, të cilat unë dua t’i ndaj sot me ju. E para, ajo bëri thirrje për depistimin e hershëm të kancerit të gjirit, i cili bëhet falë mamografive moderne që janë instaluar në të gjitha spitalet rajonale. Mamografia është test që bëhet falas për çdo grua. Ka dy mamografë të lëvizshëm.
Në mbledhjen që zhvilluam sot me Aleancën e Grave Deputete ne bëmë kalendarin e mamografive të lëvizshme në të gjithë territorin e vendit dhe në ditën e sensibilizimit do të marrin pjesë gra socialiste, gra demokrate apo edhe gra nga forca të tjera politike. Nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme të themi që trupa që lexon mamografinë ka përmirësuar cilësinë e leximit, sepse numri i mamografive që bëhen në Shqipëri është rritur nga viti në vit. E dyta, që është e rëndësishme, janë barnat për kancerin e gjirit.
Në Shqipëri sot kanë hyrë barna të gjeneratave moderne. Përveçse receptinës, ka edhe barna të tjera, imunosupresorë, që e luftojnë shumë mirë sëmundjen e kancerit të gjirit. E treta, që është shumë e rëndësishme në kurimin e kancerit të gjirit, janë radioterapitë. Shqipëria, duke qenë se ka punuar shumë fort me Agjencinë Atomike të Energjisë, ka siguruar dy aparatura moderne radioterapie, si dhe materialet që duhen për këtë gjë. Radioterapia jepet dhe është më e avancuar se kobalti, sepse e shënjestron sëmundjen atje ku duhet.
Faktori i fundit janë të gjithë ata që merren me anatomi patologjike. Falë specializimeve, sot ne kemi më shumë anatomë-patologë në të gjithë shërbimin tonë shëndetësor, të cilët mund të bëjnë edhe kurimin e shenjestruar sipas pacientëve. Faktet tregojnë që përmirësimi i jetës nga kanceri i gjirit në Shqipëri është prezent. Ka shumë zonja, të cilat po ia dalin dhe janë dëshmi të gjalla të betejës së fituar me kancerin e gjirit.
Megjithatë, mesazhi që dha ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte shumë i rëndësishëm. Ajo e lidhi këtë betejë me vajtjen e njeriut në Hënë. Në qoftë se vajtja e njeriut në hënë ishte një ëndërr amerikane, që dukej e parealizueshme, por që në fakt ndodhi, pak kohë më parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë marrë një angazhim që duhet të bëhet opinionsjellës për të gjithë botën. Ata kanë vënë objektivin që për 25 vjet të përgjysmojnë numrin e vdekjeve nga kanceri i gjirit.
Ky do të ishte një mesazh optimizues për të gjitha vendet, me të ardhura të larta apo të mesme, që luftojnë përditë me kancerin e gjirit. Prandaj, në këtë muaj, që ne e quajmë “Tetori rozë”, duhet bërë e gjithë përpjekja për të njohur trupën tonë shëndetësore dhe përpjekjet që ata bëjnë përditë për të luftuar kancerin e gjirit. Këto gjëra janë thënë në shesh. Këto njohuri unë i kam marrë nga informacioni që jepet në shesh për të sensibilizuar luftën ndaj kanceri të gjirit.
Kështu që, dua t’ju bëj thirrje kolegë deputetë, që të mos neglizhojmë pjesëmarrjen tonë në të gjithë këtë muaj të rëndësishëm, sepse pjesëmarrja në këto aktivitete nuk ka ngjyrë politike, ajo bëhet për shëndetin e grave shqiptare.
Faleminderit!