Publikuar më: 09/06/2022

Fjala Parlament – 9 Qershor 2022

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Faleminderit, drejtuese e seancës!

Unë do të sjell në vëmendje diçka për ne që marrim pjesë në këtë seancë. Pa dyshim që i kam ndjekur me vëmendje diskutimet e opozitës, shifrat dhe faktet që sjellin në vëmendje situatën ekonomike në vend dhe pak më gjerë, për të gjithë ne këtu dhe qytetarët.

Për të qenë ndërgjegjshëm dhe të vetëdijshëm duhet të përdorim të gjitha të dhënat, sepse situata është e tillë, që lëviz çdo ditë. Me siguri i keni dëgjuar deklarimet e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë për inflacionin në vend dhe për më gjerë. Prononcimi i Guvernatorit nuk është i vetmi, pasi shoqërohet edhe me prononcimet e guvernatorëve të vendeve të rajonit e më gjerë. Do të ketë një inflacion në rritje, që nga fundi i vitit 2022 do të shkojë edhe më tej në vitin 2023.

Janë bërë edhe diskutime për rritjen ekonomike, e cila në të gjithë botën është parë nga Banka Botërore dhe është riparë edhe në Shqipëri. Nëse i keni parë me vëmendje të dhënat, është fakt që Shqipëria e ka më të vogël uljen e rritjes ekonomike se mesatarja e rajonit ku bën pjesë. Ky është një lajm i mirë, sepse tregon që të gjitha masat e marra nga qeveria kanë dhënë influencën e vet.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë bën në mënyrë periodike një anketim për popullin dhe bizneset shqiptare, që lidhet me besimin e bizneseve dhe të konsumatorit. Nuk e di nëse keni hyrë në Bankën e Shqipërisë në datën 7 qershor dhe a e keni parë që besimi i bizneseve dhe i konsumatorit në Shqipëri është rritur.

Kjo është shkalla e optimizmit të konsumatorëve dhe të bizneseve për situatën ekonomike, ndaj do të doja t’u bëja një thirrje të gjithë anëtarëve të opozitës: lexojini me shumë kujdes të dhënat. Shikojini me kujdes ndërhyrjet që bëhen, sepse janë të shënjestruara për atje ku shkojnë, si për familjet e varfra, për pensionistët, për bizneset dhe për garanci sovrane.

Monitorimi i çmimeve të produkteve të shportës, energjisë apo karburantit ka një qëllim të mirë, që të mos ngrihet përtej, sepse situata është e jashtëzakonshme. Nëse ka një vend, që po e përjeton krizën, edhe sipas Bankës Botërore, është Ukraina, e cila në vetvete ka një sasi të madhe drithërash dhe karburanti për të gjithë Europën e më tutje, ndaj të dhënat nuk mund të shikohen vetëm në një kënd për të bërë shenjëstrimin e gabuar, por në kompleks.

Unë ju bëj thirrje për një informim më të mirë dhe për t’i dhënë popullit besimin, që do të jemi gjithmonë bashkë për t’i dëgjuar për të gjitha nevojat e tyre. Në fakt, populli e demonstron me anketimin që bëhet për besimin e konsumatorit. Ka rritje në qershor, ka optimizëm midis popullit për masat e marra nga qeveria dhe kjo është një matje e pavarur.

Faleminderit!