Publikuar më: 26/04/2023

FORUMI “KLIMA E BIZNESIT, PRODUKTIVITETI DHE KAPITALI NJERËZOR”

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

U organizua Forumi “Klima e biznesit, produktiviteti dhe kapitali njerëzor” me synim fokusimin në ndikimin e politikave ekonomike dhe legjislacionit aktual në klimën e biznesit dhe nxitjen e investimeve private.
Ky forum bëri bashkë aktorët kyc në rrahjen e mendimeve dhe dhënien e sygjerimeve mbi ndikimin e klimës së biznesit në performancën e përgjithshme të ekonomisë, duke u përqendruar në sfidat dhe mundësitë që prekin sipërmarrjen, e duke përfshirë kërkesat e tregut, klimën fiskale, luftën ndaj korrupsionit dhe rregullat e biznesit.
Diskutimet u përqendruan në marrëdhënien midis politikave buxhetore, taksave dhe investimeve private, duke vënë theksin se politikat e qeverisë synojnë të kenë një ndikim të qartë në nxitjen e investimeve të reja për të lehtësuar vendimmarrjet për investitorët potencial.
Në forum u trajtuan disa nga ligjet specifike të miratuar rishtazi për nxitjen e sipërmarrjes, si: legjislacioni i favorshëm për krijimin e sipërmarrjeve të reja, duke përfshirë procedurat e lehtësuara të regjistrimit të biznesit, mbrojtjen e pronës intelektuale dhe mbështetjen e inovacionit. Stabiliteti politik e ligjor, të bazuara dhe në reformën në drejtësi, luajnë një rol të rëndësishëm për të tërhequr investitorët e huaj dhe për të inkurajuar sipërmarrjen vendase.
Aksesi në burime të financimit, politikat e kreditimit, rritja e qasjes së ndërmarrjeve në kredi, si dhe ndihma publike dhe subvencionet për të inkurajuar investimet private dhe rritjen ekonomike do të vazhdojnë të luajnë një rol kyç në politikat nxitëse që qeveria shqiptare ka adoptuar për biznesin ne vend.
Qeveria shqiptare miratoi Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim Europian (SKZHIE) 2022 – 2030, dhe 6 përparësitë kryesore të kësaj strategjie janë: integrimi europian, lufta ndaj korrupsionit, energjia, bujqësia, turizmi dhe digjitalizimi. Ky forum trajtoi ndër të tjera pikërisht çështjet e tranzicionit të gjelbër, transformimit digjital, aftësive, produktivitetit dhe konkurrueshmërisë, të cilat zunë vend në sesionet e forumit.
Në Sesionin plenar: Rritje e qëndrueshme dhe klimë e favorshme biznesi, Ministri i Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Znj. Milva Ekonomi u fokusua në nevojën për të ndërtuar një model të ri të rritjes ekonomike në Shqipëri. Modeli i rritjes së deritanishme, i bazuar kryesisht në sektorin e ndërtimit, bujqësisë, fasonerisë, eksportit të lëndëve minerare, ka shërbyer për të rritur standardin e jetesës por nuk është i mjaftueshëm. Shqipëria e ka të nevojshme të krijojmë një rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, duke i dhënë prioritet sektorëve me potencial për zhvillim të qëndrueshëm, ku përtej turizmit dhe sektorit agro-përpunues përfshihen dhe teknologjia e informacionit dhe inovacioni, energjia e rinovueshme, dhe industria.
Rritja e ndërkombëtarizimit të ndërmarrjeve shqiptare duhet të jetë një faktor kyç për rritjen ekonomike të vendit. Inkurajimi i eksporteve dhe investimet me fokus në tregjet ndërkombëtare, si dhe mbështetja e ndërmarrjeve lokale në krijimin e produkteve dhe shërbimeve konkurruese në tregun global, duhet të jetë drejtimi i ri i politikave ekonomike shqiptare.
Në sesionin “Sfidat e Rritjes dhe Produktivitetit” fokusi ishte në investimet publike në infrastrukturë, interkonjeksion, dhe internetin e shpejtë dhe roli i tyre në këto fusha si një mjet për të përmirësuar tregtinë, lëvizshmërinë, dhe aksesin e ndërmarrjeve ndaj tregjeve të reja duke rritur efikasitetin e operacioneve të tyre, si dhe ndikimi i tyre në konkurrencën rajonale dhe evropiane. Konvergjenca me tregjet rajonale dhe ato evropiane mund të arrihet nëpërmjet lehtësimit të tregtisë dhe duke rritur konkurrencën e importimin e know-how nga vende të zhvilluara.
workshopi “Sfidat e Transformimit” mbuloi tema si mundësitë e ofruara nga sektori i BPO (outsourcing i proceseve të biznesit) dhe roli i ekosistemit shqiptar në furnizimin e shërbimeve për tregjet ndërkombëtare. Start-up-et dhe inovacioni, luajnë një rol kyç në rritjen dhe ri-orientimin e ekonomisë së vendit. Siguria kibernetike dhe besimi i publikut në shërbimet digjitale ishte një tjetër temë që u trajtua në sesion.
Vend të rëndësishëm zunë dhe diskutimet mbi konceptin e Heliksit të Katërfishtë (Quadruple Helix) në përfshirjen e SDG (Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm) për një mjedis të qëndrueshëm biznesi, duke krijuar/forcuar bashkëpunimin e tregut (biznesit), qeverisë, akademisë dhe shoqërisë civile për të krijuar inovacion dhe ndryshime pozitive në shoqëri dhe ekonomi.
Ruajtja e produktivitetit gjatë tranzicionit në ekonominë e gjelbër është shumë e rëndësishme për Shqipërinë ndërsa ndërmerr ndryshimet ekonomike të nevojshme për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm, duke reduktuar ndikimin e saj në mjedis.
Sesioni “Kapitali Njerëzor, Aftësitë, Trajnimi, Pagat dhe Përfitimet në Fushën e Digjitalizimit” trajtoi tema të ndërlidhura që kanë të bëjnë me forcimin e kapitalit njerëzor dhe aftësive të punës në kontekstin e ndryshimeve digjitale në ekonomi, duke investuar në fuqinë punëtore, paga dhe koston e punës, strukturën e tregut të punës, si dhe sistemin dual të trajnimit.