Publikuar më: 01/02/2023
Klima e biznesit në vend, komunikim i vazhdueshëm qeveri-biznes

Ministri i Shtetit për Standardet e Shërbimeve Milva Ekonomi dhe Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Edona Bilali zhvilluan një takim me drejtuesit e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe kryetarët e dhomave të biznesit të 12 qarqeve në vend. Në fjalën e saj Ministrja Ekonomi i falenderoi pjesëmarrësit në këtë takim si një kontribut i vyer në intensifikimin e komunikimit midis qeverisë dhe biznesit me qëllim përmirësimin e klimës së të bërit biznes në Shqipëri.
Ndërkohë Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Edona Bilali theksoi se takimet me përfaqësuesit e biznesit janë gjithmonë pozitive. Ajo theksoi se është shumë e rëndesishme që komunikimet biznes qeveri të strukturohen dhe ankesat të ndiqen në mënyre sistematike. Në Shqipëri bizneset janë të grupuara edhe në shoqatat e tyre të biznesit duke patur një rol jo të vogël, por në fakt ka ardhur koha që dhomat e biznesit duhet të kenë një rol edhe më të rëndësishëm, ndaj po ripunohet ligji për dhomat e tregtisë dhe industrisë.
Gjatë takimit përfaqësuesit e biznesit, sollën disa ide se si mund të përmirësohet, klima e të bërit biznes në Shqipëri, si mund të fuqëzohen dhomat e tregtisë në qarqe dhe si mund të zhvillohet një komunikim i strukturuar mbi problematikat, duke përdorur të gjtha mundësitë e reja që janë zhvilluar, si shërbimet online apo platforma për ankesat në portalin e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje www.shqiperiaqeduam.al.
Drejtuesja e Dhomës Tregtisë dhe Industrisë Shqipërisë Ines Muçostepa, në fjalën e saj vuri theksin në nevojën që ka edhe biznesi i mesëm dhe i vogël të jetë i përfshirë në zhvillimin e politikave ekonomike dhe fuqizimi i dhomave të biznesit në qarqet e vendit do të ndihmojë jo pak në këtë drejtim.
Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë Nikolin Jaka, gjatë diskutimit të tij falenderoi organizimin e këtij takimi duke shprehur konsideratën për rëndësinë që kanë në funksion të komunikimit të vazhdueshëm që duhet të jetë mes biznesit dhe qeverisë. Ai vlerësoi programet e lancuara së fundmi nga qeveria, ku janë në fokus rinia dhe njohuritë digjitale, si një vlerë e shtuar në tregun e punës që po shkon cdo ditë e më tepër drejt zhvillimit teknologjik.
Programi i Kodimit do të zbatohet për herë të parë dhe do t’i shërbejë vizionit afatgjatë që Shqipëria të arrijë potencialin e plotë të digjitalizimit dhe të përgatiten të rinj të aftë të grup-moshës 16-35 vjeç që edhe pa përvojë në shkenca kompjuterike, të kalojnë në një karrierë në industrinë teknologjike, me një kosto relativisht të ulët. Përmes Programit të Kodimit do të mbështeten të rinjtë që po aplikojnë në programet e formimit të IT me 50 % të vlerës së çmimit të ofrimit të këtyre programeve.