Publikuar më: 06/06/2023

Konferenca V “E Drejta për Informim – Hapje, Transparencë, Digjitalizim”

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

Zhvillohet Konferenca e V Kombëtare “E Drejta për Informim – Hapje, Transparencë, Digjitalizim” e organizuar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale me rastin e XV vjetorit të krijimit të institucionit.
Ministri i Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Znj. Milva Ekonomi, e ftuar në këtë event, në fjalën e saj tha se pavarësisht periudhës relativisht të shkurtër për një institucion, në një hark kaq të shkurtër kohor kultura e mbrojtjes së të dhënave personale ka zënë vend në shoqërinë tonë në një masë të madhe, duke pasur këtë institucion si garantues të mbrojtes së të dhënave personale.

Tashmë Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale e ka rutinë vjetore, falë platformave digjitale, të monitorojë të 221 insitucionet tona publike mbi hapjen ndaj publikut dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Padyshim që e drejta për informim është një nga shtyllat kryesore të një shoqërie të hapur dhe demokratike. Në Shqipëri ka patur hapa vigane në drejtim të forcimit të hapjes, transparencës, llogaridhënies, digjitalizimit, të drejtës për informim dhe mbrojtjes së të dhënave personale.
“Në vitin që lamë pas shtrirja e inovacionit teknologjik, ishte shumë dimensionale dhe thuajse të gjitha shërbimet tona publike si për qytetarët dhe bizneset u ofruan vetëm online. Realiteti i krijuar tashmë nga inovacioni teknologjik dhe revolucioni në rrjet, krijoi lidhje të tilla që njerëzit dhe gjërat të kthehen në rrjedha informacioni dhe te krijojnë marrëdhënie që konsistojnë vetëm në shkëmbimin e të dhënave.”

Në vitin 2022 Shqipëria njohu dhe ratifikoi dy konventa të Këshillit të Europës që lidheshin me mbrojtjen e të dhënave personale. Marrja e garancive se të dhënat tona janë të mbrojtura si përpara, por edhe kur shkëmbehen në rrjet, është thelbësore për të parandaluar që teknologjitë e reja të shndërrohen në një kërcënim.
Ministrja Ekonomi theksoi se për këtë arsye teknologjitë e reja, duhet të ecin paralelisht me hartimin e akteve ligjore dhe nënligjore të tilla që të bëhen mburojë e të drejtave dhe mbrojtes së të dhënave personale për më tepër në një kohë si kjo e sotmja, ku Shqipëria ka hyrë në rrugën e integrimit europian.