Publikuar më: 09/11/2022

Konsultim publik me grupet e interesit mbi projekt-dokumentin “Dokument politikash për standardet e shërbimeve publike në Shqipëri”

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

U zhvillua në Tiranë takimi mbi projekt-dokumentin “Dokument politikash për standardet e shërbimeve publike në Shqipëri”, ku Ministri i Shtetit për Standardet e Shërbimeve Milva Ekonomi prezantoi në prani të Koordinatores së Përhershme të OKB-së në Tiranë Fiona Mcluney, përfaqësues nga Banka Botërore, SIGMA/OECD, institucione shtetërore, organizata jo-qeveritare dhe ekspertë të fushës këtë draft dokument.

Ministrja Ekonomi i falenderoi të pranishëmit dhe vlerësoi kontributin e tyre në përmirësimin e mëtejshëm të këtij dokumenti si dhe zbatueshmërinë e masave të parashikuara në të. Ajo i siguroi se të gjitha komentet dhe sugjerimet e tyre do të merren në konsideratë në vijim të këtij konsultimi publik të sapo nisur.

Në vijim të punës që po bëhet me procesin e integrimit në Bashkimin Europian dhe përafrimit të legjislacionit tonë me Acquis Communitaire, hartimi i standardeve të shërbimit mbeten instrument kyc për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve dhe biznesit, është zhvillimi i standardeve të shërbimit, të cilat do të ndihmojnë në përcaktimin e pritshmërisë të një përdoruesi nga një shërbim dhe si duhet të ofrohet nga ofruesi i shërbimit, në sensin e kohës së ofrimit, saktësisë dhe përshtatshmërisë.

Dokumenti i politikave të standardeve të shërbimeve në Shqipëri, paraqitur për konsultim publik, shqyrton sfidat që hasen në përkufizimin e standardeve të shërbimeve publike, si dhe paraqet kornizën e përgjithshme dhe zgjidhjet praktike të politikave për të nxitur zhvillimin e standardeve të shërbimeve. Ky dokument siguron një themel për Qeverinë, organet që krijojnë standardet dhe palët e interesuara për të punuar së bashku në garantimin e kontributit të standardeve të shërbimit publik në zhvillimin e shoqërisë tonë.