Publikuar më: 05/04/2023

KONVENTA NDËRKOMBËTARE E TURIZMIT – PROFESIONET, AFTËSITË DHE MIKPRITJA

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

Zhvillohet Konventa Ndërkombëtare e Turizmit FESTA – E ardhmja e turizmit të qëndrueshëm dhe mjedisor në Shqipëri, organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Turizmit.

Në këtë platformë diskutimesh mes politikëbërësve, sipërmarrësve, ekpertëve të sektorit, partnerëve ndërkombëtarë dhe operatorëve turistikë si dhe të gjithë atyre që kontribuojnë në industrinë e mikpritjes, Ministri i Shtetit për Standardet e Shërbimeve, znj. Milva Ekonomi e ftuar në panelin: Profesionet, aftësitë dhe mikpritja adresoi risitë e kohës në fushën e teknologjisë së informacionit dhe digjitalizimit si dhe nevojën për t’iu përgjigjur me profesione dhe aftësi të shtuara.

Industria e mikpritjes po përballet me një presion digjital, ku individët e vendosin dhe vetë si të bëjnë udhëtimet e tyre. Përplasja me këtë transformim digjital kërkon që aftësitë e mikpritjes të riformulohen dhe nevojiten profesione të reja, të afta të përdorin teknologjitë digjitale në fushën e turizmit. Sot “augmented reality”, telefonat celularë, check-in i bazuar në to, dhomat pa celësa, boarding pass në celular, kujdesi digjital ndaj klientit, tregon që industria e mikpritjes po rrit shumë shërbimet smart.

Viti 2022 numëroi globalisht plot 1,2 miliard njerëz që udhëtuan në destinacione turistike ndërkombëtare dhe sipas WTTC parashikohet që në 2030 ky numër të shkojë në 1,8 miliard njerëz.

Një fluks i tillë turistik bën presione për standarde sa më të globalizuara. Ndaj sot ka të publikuara nga UNWTO standarde ISO/TC228 “Turizëm dhe aktivitetet e lidhura”, 46 standarde dhe 16 standarde të tjera janë ne proces, për të cilat punojnë 61 vende anëtare dhe 45 vende vëzhguese.