Publikuar më: 19/11/2022
Mblidhet KKSHC, forcim i dialogut mes qeverisë dhe shoqërisë civile

U zhvillua në Tiranë mbledhja e Këshillit Kombëtar të Shoqërisë Civile (KKSHC), nën drejtimin e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastarliu dhe me pjesëmarrjen e Ministres së Shtetit për Standardet e Shërbimeve Milva Ekonomi.
Në takim u theksua rëndësia që kanë organizatat e shoqërisë civile në forcimin e proceseve demokratike në vend, sidomos tani që Shqipëria ka nisur fazën teknike të negaciatave për integrimin në Bashkimin Europian.
Në fjalën e saj Ministrja Ekonomi falenderoi të gjithë të pranishëmit në takim, si një shënjë serioziteti dhe përgjegjshmërie e shoqërisë civile, në rolin e tyre për të garantuar praktikat më të mira të mirëqeverisjes, transparencës dhe llogaridhënies nga ana e institucioneve të administratës publike. Ajo i ftoi të marrin një rol aktiv në hartimin e planit të veprimit për periudhën 2022-2024 dhe nënvizoi nevojën për rritjen e kapaciteteve njerëzore si në organizatat e shoqërisë civile ashtu edhe në administratën publike. Aktualisht janë të hapura mundësitë e zhvillimit të disa llojeve të trajnimit që ofrohen nga Shkolla Rajonale e Administratës Publike (ReSPA).
Shqipëria i është bashkuar iniciativës globale për Qeverisjen e Hapur (OGP), duke bërë hapa përpara në këtë drejtim. Në këtë kuadër po konsolidohen mekanizmat institucional të bashkëpunimit nga ana e qeverisë me organizatat e shoqërisë civile, duke forcuar më tej dialogun konstruktiv në përfshirjen e tyre në proceset politikëbërëse.
Në vitin 2015, Kuvendi I Shqipërisë miratoi ligjin nr.119 për krijimin dhe funksionimin e Këshillit Kombëtar për Shoqërinë Civile me qëllimn mundësimin e një mekanzizmi dialogu në nivel ndërsektorial midiis qeverisë dhe organizatave të shoqërisë civile. Këshilli Kombëtar për Shoqërinë Civile përbëhet nga 27 anëtarë, prej të cilëve 13 janë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.