Publikuar më: 24/02/2023

Mblidhet Komiteti Drejtues i Projektit “Shërbime publike me në qendër qytetarin”

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve Milva Ekonomi së bashku me Përfaqësuesen Rezidente në Shqipëri të UNDP-së Monica Merino, përfaqësuesen e Agjencisë Austriake për Zhvillim në Shqipëri Elona Fana, dhe përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA), SASPAC, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, dhe të ftuar të tjerë, zhvilluan mbledhjen e Komitetit Drejtues të Projektit “Shërbime publike me në qendër qytetarin” (CSDA).

Në fjalën e saj Ministrja Ekonomi theksoi se të dhënat e vitit 2022 në kuadër të ofrimit të shërbimeve publike në format digjital, të perdorimit të proceseve të automatizuara në nivel qendror dhe lokal, regjistrimi i përdoruesve në Platformën e-Albania dhe aksesi në të gjitha kategoritë e shërbimeve të administratës publike janë me të larta se vitet paraardhëse.

Anketa e TIK në familje për vitin 2022 e kryer nga INSTAT, tregoi se kontaktet elektronike nëpërmjet internetit me autoritetet publike për shërbimet publike janë rritur 37.6% më shumë sesa në vitin 2021, dhe 19.3% më shumë familje krahasuar me 2021 kanë marrë informacion nga faqet e internetit ose aplikacione të ndryshme.

Gjithashtu nga të dhënat e AKSHI rezulton se 53% e përdoruesve të shërbimeve janë femra.
Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) tashmë ofron asistencë nëpërmjet numrit të gjelbër 0800 01 18 për individë që hasin në vështirësi të aksesojnë apo përdorin sistemet online.

Ministrja Ekonomi shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për mbështetjen dhe bashkëpunimin me Projektin për objektivat e ardhshme mbi: përmirësimin e cilësisë së shërbimeve që u ofrohen qytetarëve në drejtim të zhvillimit të kornizës ligjore për standardet e shërbimeve; zhvillimin e kapaciteteve institucionale; angazhimin e aktorëve të përfshirë; dhe përmirësimin e formimit digjital për të rritur të fashës së moshës 45+.