Publikuar më: 11/11/2022
Mblidhet Komiteti Shumëpalësh mbi Partneritetin për Qeverisje të Hapur

U zhvillua sot në Tiranë nën drejtimin e Ministres së Shtetit për Standardet e Shërbimeve Milva Ekonomi, mbledhja e Komitetit Shumëpalësh mbi Partneritetin për Qeverisje të Hapur, ku të pranishëm ishin ministra të kabinetit qeveritar, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj, Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Edona Bilali, drejtues institucionesh publike, Mirlinda Karcanaj Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, dhe anëtarë të Shoqërisë Civile që përfaqësoheshin nga Adelina Farrici drejtuese e Shoqatës për Autonominë Vendore, Andi Kananaj Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, Altin Hazizaj Drejtor i Përgjithshëm i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, Indrit Seferi drejtues i Shoqatës Mjekësore “Youth Albania”, Ermelinda Mahmutaj Drejtore Ekzekutive e Qendrës Mjedisore për Zhvillim Edukim dhe Rrjetëzim dhe Andi Rabiaj Drejtor Ekzekutiv i Rrjetit të Organizatave Zëri i të Rinjve.
Ministrja Ekonomi i falenderoi të pranishmit për prezencën e tyre në komitet dhe i shprehu gadishmërinë për të vijuar më tej bashkëpunimin. Gjatë takimit u ra dakort për rritjen e përfaqësimit në këtë komitet, vazhdimin e punës për hartimin e raportit të periudhës 2020-2022 dhe hartimin e planit dy vjeçar të veprimit.
Ky komitet siguron një strukturë për komunikim të rregullt, shumëpalësh midis qeverisë dhe aktorëve kryesorë të shoqërisë civile, duke mundësuar transparencë, përgjegjshmëri, forma inovatore për një politikbërje më gjithëpërfshirëse.