Publikuar më: 27/03/2023
Miratohet Plani dy vjeçar Kombëtar i Veprimit për OGP

U zhvillua takimi i Komitetit Shumëpalësh mbi Partneritetin për Qeverisje të Hapur (OGP), në praninë e përfaqësuesve të institucioneve publike qendrore të ngarkuar me OGP-në pjesë e këtij komiteti, anëtarëve të shoqërisë civile, si dhe të ftuarve të përhershëm të Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe Ambasadës së ShBA në Shqipëri.
Anëtarët e Komitetit dakordësuan mbi aktivitetet e ardhshme dhe aprovuan dokumentin e Planit Kombëtar të Veprimit për Partneritetin për Qeverisje të Hapur, duke integruar dhe sugjerimet e sjella nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe në përputhje me afatet e përcaktuara në kalendarin e punës u dërgua në Sekretariatin Qëndror OGP në Bruksel.
Ministri i Shtetit për Standardet e Shërbimeve Milva Ekonomi, theksoi se falë angazhimit maksimal nga palët, dokumenti përfundoi fazën e fundit të konsultimit publik me shoqërinë civile dhe grupet e interesit, përmes konsultimeve në regjistrin elektronik të konsultimit publik, si faza e fundit e procesit të bashkëbërjes së zhvilluar me OSHC-të dhe grupet e interesit.
Koordinatorja Kombëtare për Iniciativën për Qeverisje të Hapur (OGP) Znj. Milva Ekonomi, Ministër Shteti për Standardet e Shërbimeve, theksoi se procesi i zhvilluar ka qenë gjithpërfshirës dhe në përputhje me standardet e OGP-së. Ajo përmendi zhvillimin e takimeve konsultative tematike me shoqërinë civile, si pjesë e procesit të bashkëbërjes, ku evidencat përkatëse janë publikuar në faqen www.ogp.al.
Agjencia e Mbështetjes së Shoqërisë Civile informoi Komitetin në lidhje me procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Shoqërisë Civile në Komitetin OGP dhe u vendos një takim mes anëtarëve të vjetër dhe anetarëve që do të konstituohen e do të jenë më pas në Komitet, bashkërenduar nga sekretariati. Anetarët e rinj do të trajnohen mbi proceset për OGP nga ReSPA, së bashku me anëtarët e rrjetit të ngritur të pikave fokale për Shoqërinë Civile në cdo ministri linje, si një iniciativë e kërkuar nga anëtarët e Shoqërisë Civile.