Publikuar më: 19/06/2023

“Përmirësimi i aksesit të barabartë në shërbimet publike të standardit të lartë nëpërmjet operacionit Govtech”

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Publikim

Ministri i Shtetit për Standardet e Shërbimeve Znj. Milva Ekonomi prezantoi në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese,Tregtinë dhe Mjedisin dhe Komisionin për Ekonominë dhe Financat projektligjin “Për ratifikimin e Marrëveshjes së Huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për “Përmirësimin e aksesit të barabartë në Shërbimet Publike të Standardit të Lartë nëpërmjet Operacionit Govtech””.

Kjo marrëveshje huaje do të mundësojë akordimin nga Banka Botërore të një shume prej 60 milionë euro, e cila do të përdoret për:

– Përmirësimin e aksesit në shërbimet elektronike dhe përvojës së përdoruesit, për riorganizimin e portalit e-Albania sipas modelit “life events” (E-Qeverisja 2.0), duke prezantuar shërbime elektronike proaktive për të rritur shpejtësinë, cilësinë dhe efikasitetin e ofrimit të shërbimeve publike online.

– Rritjen e aftësive dhe gjithëpërfshirjes digjitale, duke përmirësuar aftësitë digjitale bazë dhe të avancuara përmes ngritjes së laboratorëve të edukimit informatik (smart labs) në 200 shkolla të vendit si dhe Qendrave Rinore TIK në 10 qytete të vendit.

– Forcimin e mundësuesve parësorë të GovTech-ut, duke miratuar dhe certifikuar standarde të reja të shërbimeve elektronike të shërbimeve më të përdorura. Gjithashtu, do të punohet për përmirësimin dhe zgjerimin e Sistemit të Qendërzuar të Dokumenteve me Nënshkrim Elektronik (SQDNE) për të shtuar funksionalitetet e tij si dhe duke u përqendruar edhe te përmirësimi i sistemit të monitorimit në kohë reale.

Znj. Ekonomi sqaroi se programi “Përmirësimi i aksesit universal në shërbimet publike të standardit të lartë nëpërmjet teknologjisë (Govtech)”, synon përmirësimin e portalit e-Albania dhe infrastrukturave mbështetëse të tij, duke sjellë funksionalitete të reja për qytetarët dhe bizneset në përfitimin e shërbimeve publike (të cilat tashmë ofrohen në masën 95% vetëm online në e-Albania) si dhe investimin në rritjen e aftësive bazë dhe atyre të avancuara digjitale për popullatën.