Publikuar më: 15/06/2023
Raporti i DAP

Në seancën e sotme në Kuvend, Ministri i Shtetit për Standardet e Shërbimeve Znj. Milva Ekonomi paraqiti raportin e Departamentit të Administratës Publike (DAP) për vitin 2022, mbi punën voluminoze, progresin dhe masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në drejtim të administratës publike.
Reforma në Administratën Publike ka qenë dhe vijon të mbetet në vëmendje të qeverisë Shqiptare si një ndër reformat më të rëndësishme jo vetëm për zhvillimin e vendit por edhe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Reforma e Administratës Publike ka një kornizë strategjike të mirëpërcaktuar tashmë prej 8 vitesh në vend, me Strategjinë Ndërsektoriale të Reformës në Administratën Publike, dokument i cili përbën bazën mbi të cilën zbatohet kjo reformë thelbësore. Për zbatimin e Strategjisë janë zbatuar plotësisht 103 nën-aktivitete ose 82% si dhe janë realizuar pjesërisht 23 prej tyre ose (18%) (pra 126 nën-aktivitete janë inciuar nga 130 në total).
Po hartohet Strategjia e re e Reformës në Administratën Publike për vitin 2023-2030, e cila është një nga piketat hapëse që do të vlerësohet si një pjesë thelbësore e kriterit politik. Në vijim po hartohet udhërrëfyesi për PAR (Public Administration Reform) që do të shërbejë si një dokument bazë për vijimin e dialogut politik në këtë fushë.
Fusha e Shërbimit Civil dhe Menaxhimit të Burimeve Njerëzore ka një kuadër ligjor të plotë, të qartë dhe të konsoliduar, që ka përmirësuar ndjeshëm menaxhimin e burimeve njerëzore në shërbimin civil. Procesi i rekrutimit është plotësisht i digjitalizuar në të gjitha fazat e tij.
Qeveria shqiptare ka pasur në fokus reformimin e sistemit të pagave, që prej tre vitesh tashmë, e për këtë Departamenti i Administratës Publike, së bashku me ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe me mbështetjen e projekteve IPA dhe të SIGMA-s kanë realizuar një analizë të sistemeve aktuale. Në bazë të analizave të kryera u arrit që nëpërmjet sistemit të pagave për nëpunësit civilë dhe nëpunësit e tjerë të mundësohet shpërblimi i drejtë i punës bazuar në përgjegjësitë dhe funksionet e secilit dhe mbi bazën e eksperiencës së tyre. Ndërkohë që sot që flasim paga minimale është 40.000 lekë në muaj.
Në drejtim të rienergjizimit të administratës publike qeveria shqiptare i ka kushtuar një vëmendje promovimit dhe krijimit të qendrave të ekselences dhe programit “Gati për Shqipërinë” dhe projekti “Young Cells”.
Për vitin 2023 synohet të rritet atraktiviteti ndaj administratës publike dhe mbajtja e profesionistëve të talentuar nëpërmjet aplikimit të skemave të motivimit dhe një sistemi pagash stimulues; të vijohet me aftësimin e punonjësve të administratës publike, nëpërmjet diversifikimit dhe efikasitetit të programeve të ngritjes së kapaciteteve; të thjeshtohet dhe përmirësohet metodologjia e vlerësimit të nevojave për trajnim dhe vlerësimit të cilësisë së procesit të trajnimit që ofrohet nga ASPA si dhe të përmirësohet infrastruktura e SIMBNJ/HRMIS për të vijuar me përllogaritjen e pagave nëpërmjet këtij sistemi dhe shtrirjen e tij në të gjitha institucionet e administratës publike, me qëllim rritjen e cilësisë së të dhënave për politikat e menaxhimit të burimeve njerëzore.