Standartet e shërbimeve

Ministri i Shtetit për Standardet e Shërbimeve, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse harton, bashkërendon dhe zbaton politikat shtetërore që synojnë standarde të larta të shërbimeve publike, të ofruara për ushtrimin e të drejtave të qytetarëve dhe përmirësimin e jetesës, lehtësimin e ofrimit të shërbimeve publike, sigurimin e cilësisë dhe përballueshmërisë së tyre.
Departamentet dhe agjencitë qeveritare duhet të vendosin dhe zbatojnë standardet e shërbimit dhe më pas të monitorojnë performancën kundrejt këtyre standardeve dhe të përdorin standardet në menaxhimin e pritjeve të klientëve si një mjet për të përmirësuar kënaqësinë e klientit.
Standardizimi në të gjitha shërbimet për qytetarët apo bizneset do të sigurojë një eksperiencë uniforme, të parashikueshme dhe cilësore gjatë përdorimit të këtyre shërbimeve, pavarësisht se cili është institucioni përgjegjës apo kanali i përdorur. Kjo nënkupton, nga njëra anë, standarde të përbashkëta shërbimi të bazuara në parimet e kujdesit ndaj klientit dhe, nga ana tjetër, procedura standarde të operimit të mirëpërcaktuara në të gjitha institucionet qeveritare.
Prej këtij viti nisi një epokë e re e shërbimeve publike në vendin tonë me mbylljen e sporteleve fizike dhe hapjen e atyre digjitale. Mbyllja e sporteleve fizike dhe ofrimin e shërbimeve publike përmes platformës digjitale e-albania, jëtëson një objektiv shumë të rëndësishëm ”barazinë e qytetarëve para ligjit”, sepse pavarësisht se kush e kërkon shërbimin, ku jeton ai dhe të gjithë e marrin njësoj këtë shërbim dhe në të njëjtën mënyrë.
Qeveria Shqiptare është e angazhuar për modernizimin e proceseve të menaxhimit të shërbimeve publike dhe përmirësimin e kënaqësisë së qytetarëve me shërbimet që ofron. Përdorimi i teknologjive moderne të informacionit dhe komunikimit në sektorin publik dhe qeverisjen, e ka vendosur vendin në krye të vendeve të Ballkanit Perëndimor përsa i takon transformimit dixhital. Raporti i Komisionit Evropian 2021 për Shqipërinë, identifikon qartë progresin e bërë nga Shqipëria në ofrimin e shërbimeve publike, por gjithashtu thekson nevojën për standarde minimale për ofrimin e shërbimeve.
Në vitin 2021, Shqipëria u nderua me çmimin për qeverisjen dixhitale nga ReSPA dhe OECD/SIGMA për zbatimin e praktikave, iniciativave, shërbimeve online dhe masave efektive për të përballuar krizën e koronavirusit.