Publikuar më: 30/05/2023
Takimi me përfaqësues të institucioneve dhe ekspertëve vendas e të huaj mbi ngritjen e sistemeve të menaxhimit të cilësisë në institucionet publike

Me nismën e Ministrit të Shtetit për Standardet e Shërbimeve znj. Milva Ekonomi u zhvillua takimi me përfaqësues të institucioneve të ndryshme si Zyra Operacionale e Situatës pranë Kryeministrit, Departamenti i Administratës Publike, Shkolla Shqiptare e Administratës Publike, ekspertë vendas, UNDP, Agjencia Austriake për Zhvillim dhe ekspertit Thomas Prorok, Drejtor Menaxhues i Qendrës për Kërkime në Administratën Publike në Austri.
Në këtë takim u diskutua mbi sistemet e menaxhimit të cilësisë, Standardet dhe Proçedurat Standarde Operative për Administratën Publike në Shqipëri.
Objektivi i kësaj mbledhjeje ishte ngritja e një platforme për vendim-marrje për politika dhe veprime konkrete në institucionalizimin e Menaxhimit të Cilësisë për institucionet e sektorit publik.
Në mbyllje të këtij takimi u dakordësua, që ndërsa për Qeverinë, përformanca matet nëpërmjet “Qeverisjes së mirë”, për agjencitë qeveritare sistemet e menaxhimit të cilësisë si ISO 9001 apo CAF janë të domosdoshme për këtë fazë të zhvillimit të Administratës Publike.
Qëllimi i kësaj qasje është të jepet mbështetje në ofrimin e shërbimeve me standarde të larta për qytetarët dhe biznesin në Shqipëri. Eshtë e rëndësishme të vihet në dukje, që për të realizuar këtë synim institucionet shërbim-ofruese do të pajisen me sistemin ISO 9001, i cili do të krijojë mundesinë edhe për hartimin e Procedurave Standarde Operacionale përkatëse.