Publikuar më: 19/05/2023
Zhvillohet takimi me delegacionin e Emirateve të Bashkuara Arabe

Në vijim të Memorandumit të Bashkëpunimit të nënshkruar në shkurt të këtij viti ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, zhvillohet takimi me delegacionin e kryesuar nga SH.T Abdulla Nasser Lootah, Zëvendësministri i Çështjeve të Kabinetit për Konkurrueshmëri dhe Shkëmbim të Dijes, shoqëruar nga SH.T Sulaiman AlMazroui, Ambasadori i Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) në Greqi dhe ambasadori jorezident në Republikën e Shqipërisë mbi partneritetin me përfitim të ndërsjelltë.
Qëllimi i këtij takimi ishte forcimi i urave të bashkëpunimit dhe diskutimi për të detajuar projekte të përbashkëta në fusha konkrete.
Memorandumi i Mirëkuptimit ka si qëllim zhvillimin e përpjekjeve të përbashkëta me synim nxitjen e kapaciteteve institucionale dhe fuqizimin e qeverisjes në fushën e zhvillimit të aktivitetit qeveritar, ngritjes së kapaciteteve dhe aftësive institucionale për të ardhmen. Bashkëpunimi do të fokusohet në zhvillimin e aktivitetit qeverisës duke ndarë njohuri dhe përvojën reciproke, udhëzimet dhe modelet e zhvillimit në fushat e Mirëqeverisjes. Fushat e bashkëpunimit përqendrohen në shkëmbimin e njohurive, përvojave, praktikave më të mira dhe ndërtimin e kapaciteteve për nëpunësit publikë dhe sektorët përkatës.
Ministri i Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Znj. Milva Ekonomi pasqyroi objektivat e arritura nga ana e Qeverisë Shqiptare në drejtim të qeverisjes së mirë, digjitalizimit të shërbimeve dhe reformave në administratën tonë publike, konsultimeve publike dhe impaktin e tyre në proceset e vendim-marrjes politike e rrjedhimisht në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Vendi ynë u ftua të marrë pjesë në eventin e radhës të organizuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe në rrjetin e Mirëqeverisjes me pjesëmarrjen e 30 vendeve, për të prezantuar metodologjinë e përdorur nga ana jonë të konsultimit publik, si një nga praktikat e mira të ekspertizës në fushë.
Kjo vizitë hapi rrugën e bashkëpunimit të mëtejshëm mes dy vendeve tona.